Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

OPINION

FC Ballkani në Ligë të Konferencës, kur duhet të fillojë Superliga?

Fotot: FCBallkani/fb

FC Ballkani në Ligë të Konferencës, kur duhet të fillojë Superliga?


Shkruan: Blerim Myftiu

8 September, 2022 @12:13

FC BALLKANI, LIGA E KONFERENCËS, KUR DUHET TË FILLOJË SUPERLIGA E KOSOVËS

Kualifikimi i klubit futbollistik Ballkani nga Suhareka, nga Kosova, në fazën grupore të Ligës së Konferencës së UEFA-s natyrisht që është suksesi më i madh i një ekipi futbollistik kosovar në arenën ndërkombëtare, para pavarësisë dhe pas pavarësisë, të të gjitha kohëve. Nuk është me rëndësi (së paku për sivjet) mënyra si është ardhur deri këtu, si është kualifikuar, por vetëm fakti që në sezonin e pestë të garimit në kompeticionet e organizuara nga UEFA, një ekip kosovar do të arrijë që vjeshtën ta kalojë në një garë evropiane dhe ekipe të një rangu më të lartë do të defilojnë në “Fadil Vokrri”.

UECL

Zgjerimi i kupave evropiane me të tretën, Ligën e Konferencës, ua dha mundësinë klubeve nga shtetet e gjysmës së dytë të tabelës, përkatësisht të atyre me fuqi më të dobët të ligave kombëtare (zakonisht nga Evropa Qendrore dhe Lindore e Juglindore), që të luajnë më tepër ndeshje ndërkombëtare dhe ta kenë më të lehtë kalimin e vjeshtës në kompeticion aktiv. Kjo rezultoi me dobi të dyanshme – zgjerimin e etheve të garës në shumë shtete, futbolldashësit e të cilëve qenë “dënuar” që garat evropiane t’i ndiqnin nga ekranet televizive dhe shtimin e të ardhurave për klubet e këtyre shteteve, ku disa qindra mijëra apo 1-2 milionë euro bëjnë dallim të madh në lehtësimin buxhetor.

NGRITJA E SIGURT NË TABELËN E KOEFICIENTËVE

Kosova, në saje edhe të rezultateve jo shumë të dobëta që prej fillimit të garimit, si edhe të këtij zgjerimi, garoi këtë vit me 4 përfaqësues në kupat evropiane. Me përjashtim të stinorit të parë (2018/19) të garimit ku kishte koeficient të lartë (2.500), prej stinorit 2019/2020, Kosova shënoi rritje standarde të koeficientit – 1.500 në stinorin 2019/2020, 1.833 në atë 2020/2021 dhe 2.333 në sezonin 2021/2022. Koeficienti i stinorit aktual është 2.125 dhe meqenëse Ballkani është në garë, ka mundësi të rritjes. Kosova renditej në pozitën e 39-të të ligave evropiane para fillimit të stinorit aktual dhe me rezultatet e arritura të klubeve tona, renditet momentalisht në pozitën e 33-të, duke e tejkaluar në renditje Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, shtetet baltike, Finlandën, Irlandën, Bosnjen e Hercegovinën dhe Armeninë, ndër të tjera. Shtetet përpara nesh si Sllovenia dhe Kazakistani kanë mbetur pa skuadra dhe me Moldavinë (që ka një skuadër aktive) që ndodhet një pozitë më sipër na ndajnë fare pak pikë.

Ballkani

Klubet kosovare sivjet u detyruan t’i luajnë të gjitha fazat eliminatore të kualifikimeve. Ballkani u mposht në korrikun e hershëm nga kampioni i Lituanisë, Žalgirisi dhe ra kësisoj në xhiron e dytë eliminatore të Ligës së Konferencës. Në shtegun e kampionëve të eliminuar, duhet thënë sinqerisht se pati një rrugëtim të lehtë (fat i shortit), ngase në xhiron e dytë e eliminoi kampionin e San Marinos (La Fiorita), në të tretin kampionin e Ishujve Faroe (KI Klaksvik) dhe në të katërtin atë të Maqedonisë së Veriut (Shkupi). Në një skenar tjetër, mund të ishin klube më të fuqishme dhe më të përgatitura. Sikur që theksova në fillim, fakti i kualifikimit nuk e zbeh suksesin, por për të ardhmen jep sinjal që jo çdo herë shorti mund të jetë i favorshëm.

Mjafton të kujtohet pjesa e dytë e ndeshjes së kthimit në Ishujt Faroe – dominimi fizik i kundërshtarit, pamundësia e daljes së Ballkanit nga presingu i lartë dhe suksesi poker në ekzekutimin e penalltive. Kalimi i xhiros së parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve duhet të jetë gjithmonë imperativ, ngase eliminimi i mëvonshëm në xhiron e dytë ju shpie në xhiron e tretë të Ligës së Evropës; nëse eliminoheni edhe këtu, atëherë kjo ju dërgon në xhiron e katërt të Ligës së Konferencës, pra një derë përpara fazës së grupeve. E po të mbërrini në xhiron e tretë të Ligës së Kampionëve, pjesëmarrja në grupet e Ligës së Konferencës është e garantuar.

A DUHET KAMPIONATI TË FILLOJË NË KORRIK?

Kosova është momentalisht shtet i parakualifikimeve dhe shtet i “futbollit të së enjtes mbrëma”. Për shkak se renditemi në gjysmën e dytë të ligave të suksesshme kombëtare të futbollit, klubet tona luajnë të gjitha xhirot e kualifikimeve për cilëndo kupë evropiane qoftë (momentalisht janë 4). Përkundër se mund të fitohen pika optimale në stinorët e ardhshëm, me sistemin aktual të pikëve të alokuara për fitore dhe barazime, vështirë se brenda 10 viteve të ardhshme mund të mbërrijmë deri te vendi i 18-të apo i 20-të, që do t’u siguronte klubeve tona më pak xhiro parakualifikuese dhe ndoshta gjasa më të larta për hyrje në grupe.

Duke qenë se perspektiva e klubeve tona, së paku për këtë dekadë, është kualifikimi i mundshëm në Ligën e Konferencës, por me pak mund dhe fat edhe në Ligën e Evropës, gjithsesi që rruga për në to do të fillojë herët në korrik apo nga java e dytë e tij. Marrë parasysh që stinori i kampionatit në Kosovë fillon rreth 20 gushtit, kjo krijon një hendek ndërmjet “fillimit real” të stinorit për 4 klubet që garojnë në Evropë dhe fillimit faktik të Superligës së Kosovës. Nëse ta zëmë një klub eliminohet në start të rrugëtimit evropian, ky klub duhet “të pushojë” nga ndeshjet zyrtare për të rinisur garën zyrtare pas disa javësh. Apo në rastin e Ballkanit, krijon një stinor të tejzgjatur, i cili do të përfundojë nga fundi i majit të vitit të ardhshëm. Nëse paragjykojmë që prapë do të kualifikohet për gara evropiane, klubi duhet që pas ngopjes sezonale të bëjë ca ditë pushim dhe përgatitjet të fillojë minimum në fillim të qershorit për të garuar me gaz të plotë nga fillimi i korrikut. Në atë rast do të shfaqen prapë problemet me përgatitjen fizike të cilat i hasëm në ndeshjet me Žalgirisin dhe KI-n.

Armend Thaqi @ Ballkani

Mendoj që formati i tanishëm i ndeshjeve parakualifikuese në korrik veçmas dhe në gusht, të cilat ndeshje për shumë shtete të nivelit tonë apo jo të nivelit të dhjetëshes së parë janë jetike në kuptimin e suksesit sportiv dhe sigurimit të të ardhurave financiare, është i gabuar dhe mund të gjenden modalitetet e tjera për shkurtim të periudhës dhe përmbledhjes së tyre në gusht dhe gjysmë të shtatorit. Përderisa është kështu e diktuar nga UEFA, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) duhet të shqyrtojë mundësinë e startit të stinorit së paku në fund të korrikut. Vapa dhe moti i papërshtatshëm janë faktorë jofavorizues në këtë situatë, por zhvillimi i ndeshjeve vonë në mbrëmje mund të jetë alternativë. Mirëpo, duket modalitet i vetëm me të cilin klubet tona do të ishin më të përgatitura në korrik për ndeshjet jetike, aq më pak nëse kampionati do të përfundonte në fund të prillit dhe maji do të ishte muaji pushues për futbollistët. Kampionatet në shumë shtete me të cilët konkurrojmë për pozitat e 20-ta në ranglistën e UEFA-s, fillojnë gjatë korrikut, me përjashtim të kampionateve të shteteve elitare dhe atyre mesdhetare.

Liga e Konferencës është një mundësi e madhe sportive dhe financiare për FC Ballkanin. Rëndësia e pjesëmarrjes në aspektin sportiv është i pamatshëm. Çdo fitore dhe çdo barazim në fazën e parakualifikimeve dhe të fazës grupore ka peshë të njëjtë me pikë në të tria kupat. Prandaj, secila pikë është e artë për koeficientin e vetë Ballkanit dhe për koeficientin shtetëror të Kosovës. Kualifikimi në fazën grupore ia ka siguruar FC Ballkanit 2.94 milionë euro. Çdo fitore në grup ia siguron 500 mijë, kurse çdo barazim 166 mijë euro shtesë. Po qe se grupi përfundohet në vend të dytë që siguron kualifikim të mëtejmë, pesha e suksesit është 325 mijë euro shtesë (për vendin e parë 650 mijë), kurse të luajturit në fazën e 32 më të mirëve vetvetiu nënkupton edhe 300 mijë euro. Çdo fitore në grup Superligës së Kosovës ia sjellë 2 pikë shtesë në ranglistën e koeficientit (ka peshë të njëjtë sa fitorja e Dinamos së Zagrebit ndaj Chelseat).

Kjo është rëndësia sportive dhe financiare që shumë klube të Kosovës do të ngre në një nivel tjetër. Prandaj, FFK-ja dhe klubet duhet bashkërisht të gjejnë zgjidhje për përmirësimin e kushteve dhe sigurimin e rrethanave optimale të pjesëmarrjes.


 
Të gjitha lajmet nga Conference League