PËRMBLEDHJE
KOSOVA NË 2022!
Shkruan: G.P
31 December, 2022 @16:30
Në prag të përfundimit të vitit 2022, TopSporti.com ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve sportive kryesore në Kosovë përgjatë vitit 2022.
1. FC Ballkani në grupet e UEFA Conference League, arritje historike
Një klub i Kosovës në garat evropiane për klube. Këtë arritje historike e arriti Ballkani nga Suhareka, që pasi u shpall kampion i Kosovës, më pas arriti të kualifikohet në fazën grupore të UEFA Conference League.
Balkani u eliminua nga Zalgirisi në kualifikimet drejt UEFA Champions League, ndërsa më pas eliminoi La Fioritën, Klaksvikun dhe Shkupin, për të shkuar kështu në grupet e UEFA Conference League. Të drejtuarit nga Ilir Daja zhvilluan paraqitje fantastike edhe në fazën grupore të kësaj gare, ku ndonëse ishin në grup me skuadra të mirënjohura si Slavia Praga, Sivasspori e Cluji, arritën që grupin ta mbyllin me 4 pikë të tubuara.
2. Xhudo i Kosovës, përsëri me plot suksese
Sukseset në xhudo për Kosovën tashmë nuk përbëjnë risi. Edhe viti 2022 ishte vit fantastik për Driton Kukën dhe ekipin e tij, ndonëse ky ishte viti i parë pa Majlinda Kelmendin garuese, me këtë të fundit që njoftoi për largimin e saj nga xhudoja aktive në fund të vitit 2021.
Në total, xhudistët e Kosovës morën mbi 15 medalje gjatë vitit 2022, ndërkohë, pa nënvlerësuar të tjerët, për t’u veçuar janë suksesi i Laura Fazliut, që u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 63 kilogramë, medalja e artë e Distria Krasniqit (deri në 52 kilogramë) në Tbilisi si dhe medalja e artë e Loriana Kukës (deri në 78 kilogramë) në European Open të Sarajevës.
3. Donjeta Sadiku, e bronztë në Kampionat Evropian
Një vit mjaft i suksesshëm për boksieren Donjeta Sadiku. Ajo arriti që këtë vit ta mbyllë me medalje të bronztë në Kampionatin Evropian për seniore, që u mbajt në Budvë të Malit të Zi. Donjeta garon në kategorinë 60 kilogramë dhe medalja e fituar nga ajo është e para për Federaten e Boksit të Kosovës pas 39 viteve kur bëhet fjalë për garimin në kategorinë seniore.
Kur jemi te boksi i Kosovës, gjati vitit 2022 nga jeta u nda Xhevdet Peci, legjenda e boksit të Kosovës, figura e të cilit do të mbahet mend gjithmonë.
4. Basketboll - skuadrat kosovare në garat evropiane
Kampion i Kosovës te meshkujt për sezonin 2021/2022 u shpall Ylli nga Suhareka, e më pas kjo skuadër vendosi ta përfaqësojë Kosovën në Basketball Champions League, ku u eliminua në rrethin e parë nga skuadra gjigande e Benficës.
Më pas, Ylli garat evropiane i vazhdoi në FIBA Europe Cup, ku në grup kishte skuadrat Chemnitz, Bamberg dhe Galil Elyon. Këtë grup Ylli e mbylli duke u renditur i fundit, me 1 fitore e 5 humbje.
Në FIBA Europe Cup mori pjesë edhe Trepça, e cila eliminua nga Gottingeni. Ndërkohë, Prishtina në FIBA Europe Cup u eliminua nga Kalev/Cramo, e për momentin është ende pjesë e ENBL, ligë që është në zhvillim e sipër.
Sa i përket Ligës Ballkanike, skuadrat kosovare në këtë ligë janë Bashkimi e Peja. Edhe kjo ligë është në zhvillim e sipër.
5. Besa Famgas dhe Istogu, përfaqësues të Kosovës në garat evropiane të hendbollit
Si zakonisht, edhe gjatë vitit 2022 Besa Famgas (meshkujt) ishte skuadra që e përfaqësoi Kosovën në garat evropiane të hendbollit. Skuadra pejane shkoi deri në raundin e tretë të EHF Cup, ku u eliminua nga skuadra kroate Sesvete. Para se të përballej me Sesveten, Besa e kishte eliminuar skuadrën e Helsinkit nga Finlanda në rrethin e dytë të garës.
KOSOVA NË 2020!
Sa i përket vajzave, ishin vajzat e Istogut ato që e përfaqësuan Kosovën në garat evropiane. Pasi u shpallen kampione të Kosovës, vajzat e Istogut garuan deri në rrethin e dytë të Kupës Evropiane, ku u eliminuan nga Çairi i Shkupit.
6. Tenisi i Kosovës. një vit i suksesshëm
Viti 2022 ishte mjaft i suksesshëm edhe për sportin e tenisit në Kosovë.
Në “Billie Jean King Cup”, kampionati botëror për vajza, vajzat e Kosovës arritën që ta kalojnë fazën grupore dhe të luajnë në Play Off të kësaj gare, ku u renditen në pozitën e tretë nga gjithsej 14 skuadra pjesëmarrëse.
Gjithashtu, në aspektin individual vit i suksesshëm ky ishte edhe për tenisten Arlinda Rushiti, që mes tjerash, në ITF World Tour të Tunizisë arriti një fitore ndaj tenistes Ekatarina Kazionova, teniste e renditur në TOP 300 të ranglistës WTA.
Përveç Arlindës, tenistja Vesa Gjinaj arriti që gjatë vitit 2022 ta shënojë një fitore në ITF World Tour, që u mbajt Antalya. Vesa, 17-vjeçare dhe përfaqësuese e Kosovës në 2022 European Junior Championships, këtë fitore në një turne të nivelit botëror e mori ndaj ruses Yana Karpovich, ndërkohë që vit të suksesshëm në aspektin individual patën edhe tenistët Salidin Rama, Mal Agushi, Meldina Mislimi, Learta Muharremi e Altea Hajrizi.
Si zakonisht, mes plot turneve tjerë, përgjatë vitit 2022 në Kosovë u mbajtën edhe turnetë Peja Open 2022 dhe Kosova Open 2022, që të dy në qytetin e Pejës.
7. Nga Kosova në Evropë, top transferet
Prej transfereve për t’u veçuar nga futbolli i Kosovës në futbollin evropian janë transferet e Arbnor Mujës dhe Valmir Veliut. Muja në verën e vitit 2022 u transferua nga Drita te Antewerpi belg, kurse Veliu u transferua nga Llapi te Gaziantepi turk.
Gjithashtu, kalimet e Aro Muric te Burnley në Angli, i Mirlind Dakut te Mura në Slloveni, Vedat Muriqit te Mallorca në Spanjë dhe Edon Zhegrovës te Lille në Francë ishin gjithashtu lajme mjaft të mira për futbollin e Kosovës.
8. FC Liqeni, përfaqësues i futsallit të Kosovës në garat evropiane
Kampioni i Kosovës në futsall, FC Liqeni nga Drenasi, e përfaqësoi Kosovën në garat evropiane përgjatë vitit 2022.
Liqeni mori pjesë në UEFA Futsal Champions League, ku u eliminua në fazën grupore, pa arritur të hyjë në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës. Liqeni grupin e mbylli me një fitore, ndaj danezëve të Gentofte, kurse pësoi dy humbje, nga polakët e Piast Gliwice dhe bjellorusët e Stalista.
9. Bad News Eagles, djemtë e Kosovës shkruajnë historinë në Rio
Në Rio të Brazilit, skuadra kosovare Bad News Eagles arriti të hyjë në histori. Bad News Eagles arritën që në turneun e mbajtur në Rio të Brazilit, ku morën pjesë skuadrat më të mira të botës në CS:GO, të arrijnë në fazën Legends Stage, për të qenë pjesë e 16 skuadrave më të mira të botës. Në Rio, djemtë e Kosovës arritën ta eliminojnë nga gara skuadrën FaZe, që ishte më e mira në botë në këtë sport.
Turneu Major i Rios ishte njëri prej dy turneve Major ku Bad News Eagles morën pjesë. Edhe në turneun tjetër Major në Antwerp të Belgjiës djemtë nga Kosova arritën në Legends Stage.