Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PËRMBLEDHJE

Kosova në 2019!

Kosova në 2019!


Shkruan: G.P

25 December, 2019 @14:51

Për të katërtin vit me radhë, TopSporti.com ka përzgjedhur top ngjarjet që e karakterizuan sportin kosovar në vitin që po mbyllet.

KOSOVA NË 2018

KOSOVA NË 2017

KOSOVA NË 2016

1. Anglia 5-3 Kosova

Edhe pse jo në “Wembley”, djemtë e Kosovës më 10 shtator 2019 zhvilluan një prej ndeshjeve më të mëdha që prej pranimit në UEFA e FIFA. Në “St. Mary’s” të Southamptonit, Kosova u përball me Anglinë në kuadër të kualifikimeve për EURO2020. Ndeshja u mbyll me fitore 5-3 të Anglisë, humbje që ia ndali Kosovës serinë prej 15 ndeshjeve rresht pa humbje, mirëpo për t’u përmendur është fakti që Kosova ia shënoi 3 gola AnglisëAngli dhe zhvilloi paraqitje fenomenale, paraqitje të cilën do ta kujtojmë gjatë.

2. Mikpritja e anglezëve në Kosovë

17 nëntor 2019. Yjet e Anglisë zbarkojnë në “Fadil Vokrri”, mirëpo rezultati është në plan të dytë, me Kosovën që veç kishte humbur gjasat për kualifikim në Evropian përmes grupeve kualifikuese. E gjithë vëmendja tashmë kishte kaluar te mikpritja që e gjithë Kosova po i bënte lojtarëve dhe fansave anglezë. Mikpritja fantastike e Kosovës bëri bujë në mediat angleze e botërore, e ndeshja u mbyll me fitore të thellë të anglezëve, 0-4.

3. Xhudo, krenaria e Kosovës!

Si zakonisht, edhe gjatë vitit 2019 xhudistët e Kosovës të drejtuar nga Driton Kuka ishin krenaria e Kosovës! Tri medalje në Minsk në Evropian e tri medalje në Kampionatin Botëror në Tokio bënë që Kosova vitin 2019 ta mbyllë me 6 medalje elitare në sportin e xhudos, ndërkohë që edhe sukseset në garat “më të vogla” padyshim që nuk munguan.

4. Feronikeli fiton ligën dhe kupën e Kosovës

Sezoni 2018/2019 në Superligën e Kosovës në futboll ishte mjaft interesant, me fituesin e titullit që nuk u vendos deri në fund. E në fund të sezonit kampion i Kosovës u shpall Feronikeli, skuadër kjo që përveç triumfit në ligë, triumfoi edhe në Kupën e Kosovës.

5. Prishtina kampione në basketboll

Pas një viti pushim, me titullin e vitit 2018 që shkoi te Bashkimi, Prishtina e riktheu titullin kampion në kryeqytet në fund të sezonit 2018/2019. Skuadra më e trofeshme në Kosovë triumfoi si në Play Off-in e Ligës, e gjithashtu edhe në Final Four-in e Kupës së Kosovës, për të qenë skuadra më e mirë në Kosovë në vitin 2019.

6. KFF Mitrovica në Champions League

Skuadra kampione e Kosovës në futbollin e femrave, KFF Mitrovica, këtë vit e përfaqësoi Kosovën denjësisht edhe në arenën ndërkombëtare. KFF Mitrovica e arriti 1/16 e finales në Champions League, duke qenë në mesin e 32 skuadrave më të mira të Evropës në futbollin e femrave, për t’u eliminuar më pas nga Wolfsburgu, një gjigand i futbollit evropian.

7. Kosova U21 në hendboll arrin kualifikimin në Botëror

Vit historik edhe për hendbollin kosovar. Pas triumfit në IHF Trophy Intercontinental, garë që u mbajt në Prishtinë, përfaqësuesja U21 e Kosovës në hendboll arriti kualifikimin historik në Botërorin e hendbollit. Ky botëror u mbajt gjatë muajit korrik në Spanjë, garë të cilën Kosova e përfundoi në vendin e 23-të, pasi e mposhti Australinë në luftë për atë pozitë. Sa i përket fazës grupore, Kosova U21 në grup ishte me Kroacinë, Brazilin, Portugalinë, Hungarinë e Bahrajnin. Nga 5 takimet në grup, Kosova U21 pati 4 humbje e 1 barazim. Barazimi erdhi në takimin ndaj Bahrajnit, 29-29.

8. Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, yje në Gjermani e Turqi

Dy prej yjeve të Kosovës që vitin 2019 nuk do ta harrojnë kurrë janë Milot Rashica dhe Vedat Muriqi. I pari u transferua nga Vitesse te Werderi në janar të vitit 2019, kurse i dyti nga Rizespor te Fenerbahçe gjatë verës, për t’u bërë heronjë të skuadrave të tyre të reja brenda një periudhe shumë të shkurtër. Paraqitjet e tyre të shkëlqyeshme morën vëmendjen e skuadrave të ndryshme evropiane, duke krijuar thashetheme për largim të tyre drejt ligave edhe më të mëdha.

9. Rahoveci, nënkampion i Kosovës dhe garues në FIBA Europe Cup e BIBL

Vit historik edhe për KB Rahovecin. “Vreshtarët” e mobilizuar dhe me palestër të re, u shpallën nënkampionë të Kosovës në sportin vendor, ndërsa më pas u paraqitën për herë të parë në kualifikime drejt FIBA Europe Cup, si dhe filluan garimin në Ligën Ballkanike.

10. KBF Prishtina në EuroCup Women 2019

Klubi kampion i Kosovës në basketbollin e femrave, KBF Prishtina , gjatë vitit 2019 hyri në histori të basketbollit kosovar, duke u bërë klubi i parë kosovar që merr pjesë në EuroCup Women 2019. KBF Prishtina u eliminua më pas nga kjo garë, mirëpo paraqitja e tyre në këtë garë ndërkombëtare është historike për basketbollin tonë.

11. Peja Open 2019

Viti 2019 ishte i rëndësishëm edhe për tenisin e Kosovës. Për herë të parë këtë vit në Kosovë u mbajt një turne ndërkombëtar i tenisit, turneu “Peja Open 2019”, në të cilën garuan teniserë deri në 16 vjeç nga 15 shtete të ndryshme të Evropës.


 
Të gjitha lajmet nga