PËRMBLEDHJE
Kosova në 2018!
Shkruan: G.P.
1 January, 2019 @18:15
Si zakonisht, TopSporti.com edhe këtë herë ka përmbledhur ngjarjet më të rëndësishme sportive të vitit.
Ngjarjet kryesore të sportit kosovar gjatë vitit 2018 janë renditur më poshtë:
1. Super Kosova në Ligën e Kombeve, arrin fazën Play Off
Padyshim që vëmendjen kryesore në vitin 2018 e mori me plot meritë përfaqësuesja seniore e Kosovës në futboll. Nën drejtimin e Bernard Challandes, Kosova arriti ta mbyllë si lidere Grupin D3 të Ligës së Kombeve, për ta siguruar kështu fazën Play Off të kësaj gare, një mundësi mjaft e mirë për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian.
2. Kosova U18, fituese e Kampionatit Evropian, Divizioni C
Për t’u përmendur padyshim që është edhe triumfi i përfaqësueses U18 të Kosovës në basketboll në Kampionatin Evropian, Divizioni C, të organizuar në Prishtinë. Djemtë e Kosovës zhvilluan paraqitje fenomenale në këtë kampionat dhe arritën të shpalleshin kampionë evropian të këtij divizioni, për të kaluar kështu një divizion më lartë, divizionin B, në kampionatin e ardhshëm të këtyre grupmoshave.
3. Drita fiton titullin kampion, bën histori edhe në Evropë
Titulli kampion i Superligës së Kosovës në futboll në vitin 2018 shkoi te Drita. Skuadra nga Gjilani nën drejtimin e Bekim Isufit përveç që u shpall kampione e Kosovës në sezonin 2017/2018, arriti të bëjë histori edhe në garat evropiane, duke u bërë skuadra e parë kosovare që kalon një raund në garat evropiane. Drita arriti ta kalojë raundin e parë paraeliminar në Gjibraltar, e më pas u eliminua fillimisht nga raundi i parë i kualifikimit drejt Ligës së Kampionëve, e më pas edhe nga Europa League.
4. Xhudistët, krenaria e Kosovës!
Pa befasi, xhudistët edhe gjatë vitit 2018 vazhduan ta bëjnë Kosovën krenare! Nën drejtimin e Toni Kukës, Majlinda, Distria, Nora, Akili, Loriana, Shpati e Erza treguan suksese fantastike në shumë turne, duke sjellë në Kosovë një numër të panumërt të medaljeve.
5. Titull historik për Bashkimin
Për herë të parë në histori të klubit, skuadra e Bashkimit nga Prizreni arriti të shpallet kampione e Kosovës në basketboll. Prizrenasit në serinë finale e mposhtën skuadrën e Prishtinës, për ta ndërprerë sundimin e kësaj të fundit dhe për ta dërguar titullin kampion në Prizren, Në të njëjtin vit, skuadra e Bashkimit u shpall kampione e Kosovës edhe në kategorinë e femrave.
6. Kosova humbë tri figura të rëndësishme të sportit
Viti 2018 për sportin kosovar do të mbahet mend edhe si viti në të cilin Kosova humbi tragjikisht tri figura të rnëdësishme të sportit të saj. Nga jeta u ndanë Fadil Vokrri, Agim Binaku e Gazmend Sinani, emrat e të cilëve do të mbesin përgjithmonë në historinë e sportit tonë.
7. Prishtina, sukses historik në FIBA Europe Cup
Një sukses historik për klubin basketbollistik Prishtina në FIBA Europe Cup. Skuadra kryeqytetase në vitin 2018 arriti të bëhet skuadra e parë kosovare që kalon fazën e parë grupore të garës në fjalë, gjë që nuk kishte arritur ta bëntë asnjë skuadër tjetër kosovare më parë.
8. Kosova, shteti me ngjitjen më të madhe
Në raportin e publikuar nga FIFA në fund të vitit 2018, u bë e ditur që Kosova është përfaqësuesja me ngritjen më të madhe në ranglistën e FIFA-së gjatë vitit 2018. Gjatë vitit 2018, Kosova u ngjit për plot 46 vende në ranglistën në fjalë, më shumë se çdo përfaqësuese tjetër.
9. Hendbollistet e Istogut shënojnë sukses historik
Viti 2018 do të mbahet mend si vit historik edhe për hendbollin e Kosovës. Klubi i hendbollit Istogu në kategorinë e femrave arriti sukses historik në garat ndërkombëtare, duke u kualifikuar në 1/8 e EHF Challenge Cup, për të qenë kështu pjesë e 16 skuadrave më të mira të hendbollit në Evropë.
10. Hapja e stadiumit “Fadil Vokrri”
Edhe Kosova me stadium të nivelit ndërkombëtar! Viti i 2018 e gjeti Kosovën me shtëpi të re. Pas shumë e shumë vonesave, stadiumi “Fadil Vokrri” arriti të hapet i renovuar sipas standardeve evropiane në gusht të vitit 2018. Fillimisht ky stadium u hap për ndeshjen mes Dritës dhe Prishtinës, ndeshje e vlefshme për Superkupën e Kosovës, e më pas edhe përfaqësuesja e Kosovës dhe klubi i Prishtinës i zhvilluan ndeshjet aty.