INTERNATIONAL ALB FOOTBALL
TOP 50-shja e vitit 2018
Shkruan: Luan Morina
30 December, 2018 @21:15
Renditja e futbollistëve më të dalluar shqiptar përgjatë vitit.
50. Xhevdet Shabani
Njëri ndër lojtarët kyç në suksesin vendor dhe ndërkombëtar të kampionëve të Kosovës, ishte Xhevdet Shabani. Shënimi në tri gara këtë sezon vetëm se kurorëzon një sezon superior për të.
49. Kastriot Dërmaku
Pasi ishte ndër lojtarët kyç në kualifikimin e ekipit të Cosenzës në Serie B, Dërmaku vazhdoi vitin edhe në sezonin duke qenë i rregullt me ekipin edhe në këtë kategori. Paraqitjet e tij të rregullta i siguruan ftesën për Kosovën, të cilën në tetor e la për Shqipërinë me të cilën edhe debutoi.
48. Mërgim Berisha
Huazimi në Magdeburg, Mërgimit nuk i eci sikur huazimi në LASK. Njëzet vjeçari pas një fillimi me 5 gola e 5 asistime me LASK, pas lëndimit të ligamentit të nyjës së këmbës, u kthye në Salzburg, për t’u dërguar tek Bundesliga 2 ku ende nuk ka gjetur formën e duhur.
47. Bernard Berisha
Ishte më i miri nga shqiptarët në koloninë e vogël në kryeqendrën e Çeçenisë. Ndër lojtarët kryesor në renditjen në gjysmën e epërme të renditjes në Premjer Ligën ruse, duke munguar nga përbërja në vetëm 5 ndeshje këtë vit.
46. Arbnor Muçolli
Një sezon pjekjeje për 19 vjeçarin e Vejles i cili nga lideri i ekipit së të rinjve, këtë sezon kaloi në trurin e mesfushës së ekipit të parë. Njëri ndër mesfushorët qendrorë më të talentuar shqiptar në botë.
45. Leart Paqarada
Njëri ndër lojtarët kyç të Sandhausenit, të cilët vazhduan të jenë ndër ekipet më të paparashikuara në Bundesliga2. Sezonin e kaluar pos asistimit kontribuoi edhe me tre gola, derisa në vjeshtë pati dy asistime në pesëmbëdhjetë ndeshje.
44. Elvis Rexhbecaj
Edhe një mesfushor qendror i talentuar shqiptar. Lojtari nga Gjonaj i Prizrenit kaloi nëpër të gjitha nivelet e Wolfsburgut për të debutuar me ekipin e parë në janar. Është rregullisht i përfshirë në ekipin e parë të Wolfsburgut këtë sezon duke nisur 7 nga 17 ndeshjet e kësaj vjeshte.
43. Ergys Kaçe
Huazimi 18 mujor në Panathinaikos, ka siguruar minuta të mjaftueshme për Kaçen të shfaq aftësitë e tija. Ky sezon e ka gjetur të adaptuar në ekipin e njohur grek me të cilët tashmë ka shënuar 2 gola e 2 asistime në nëntë ndeshje ku ka qenë i përfshirë. Është e pashpjegueshme si nuk është pjesë më e rregullt e Shqipërisë!
42. Besar Halimi
Ngjashëm si Mërgimi, edhe Besari pati probleme me ri-adaptim pas kthimit nga huazimi. Kthimi tek Brondby i dha mundësinë e angazhimit më të rregullt, ndonëse ende po has në probleme me minuta. Edhe lëndimi në çerekun e parë të vitit ka pasur ndikim në formën e tij.
41. Francesco Tahiraj
Njëri ndër sulmuesit më efikas shqiptar, me 15 gola të shënuar këtë vit, Tahiraj siguroi mbijetesën për Aluminij dhe kualifikimin në finalen e Kupës së Sllovenisë. Këtë vjeshtë nëntë golat e tij e kanë vënë Aluminij në rrugë për kualifikimin e parë në garat evropiane.
40. Edon Zhegrova
Nga magjia e janarit, Edoni ruajti pak edhe për paraqitjen e tij më të mirë për Kosovën kundër Shqipërisë. Ndonëse vetëm 19 vjeç, në një ekip që mbërthen në vete disa nga talentet më të mëdha të Belgjikës, Edoni gjeti minuta edhe në fillim të sezonit vjeshtor duke shënuar katër herë në 11 paraqitje për Genkun.
39. Myrto Uzuni
Pas një sezoni shpërthyes me Laçin, Uzuni e gjeti vjeshtën me formën më të mirë të karrierës. Për Lokomotivën në vjeshtë shënoi 7 gola në 20 lojë, duke kontribuar me 5 asistime tjera, në njërin nga tandemët shqiptare më të mira të vitit në botë!
38. Ardin Dallku
Ndër shtyllat kyçe të Vorsklës në suksesin kombëtar. I rregullt me 13 paraqitje, në të cilat shënoi edhe një gol fitues kundër Karpatyt, dhe vetëm tre kartonë të verdhë. Paraqitjet në Evropë kundër ekipeve si Arsenal e Sporting, vetëm sa po i ndihmojnë Dallkut të kthehet në njërin ndër qendërmbrojtësit më të mirë shqiptar.
37. Arijanet Muriç
Kthimi tek Manchester City pas lëndimit të bravos, debutimi me Manchester Cityn, debutimi me Kosovën. Një medalje heroi për kualifikimin në gjysmëfinalen e Carabao Cup, një siguri të cilën nuk ta ofrojnë as portierët me 20 vite përvojë në fushë. Ky është vetëm fillimi për Arijanetin.
36. Florent Muslija
Nga liga e tretë gjermane me Karlsruher në Bundesligën gjermane ku debutoi me një super-gol për Hannover 96. I angazhuar në të krahët e lojës, Florent Muslija që nga fundi i shtatorit ka qenë pjesë e rregullt e H96, me vetëm katër ulje në bankën rezervë për 90 minuta. Me 20 vjeç, mund të konsiderohet si një nga talentet më të mëdha shqiptare jo vetëm në Bundesligë.
35. Nedim Bajrami
Lëndimi i pranverës nuk ndërpreu serinë e zhvillimit fenomenal të Nedimit. Vazhdoi të jetë edhe më i rregullt për Grasshoppersin këtë vjeshtë duke realizuar edhe tre gola që nga pozita e mesfushorit qendror për një 19 vjeçar është shifër e lakmueshme. Debutimi me Zvicrën U21 nuk duhet të shuaj shpresat për ndonjërën nga kombëtaret tona të heqin dorë nga ky talent i cili konsiderohet si pasardhës i Behramit.
34. Fidan Aliti
Që nga largimi prej Slavenit, Fidani ishte i rregullt me Skënderbeun. Kjo solli edhe paraqitje të rregullta për Kosovën me Fidanin si njërën nga shtyllat kryesore të ekipit. Pjesë e asaj mbrojtjeje të revolucionuar me Rrahmanin, për Alitin 2018 ishte një vit i shndërrimit në lider.
33. Jahmir Hyka
Sezoni i parë i shkëlqyeshëm matanë oqeanit, nuk u përsërit edhe këtë vit. Ndonëse i përfshirë në 27 ndeshje për San Jose Earthquakes, aventura e Jahmirit në SHBA përfundoi me dy gola të bukur këtë sezon.
32. Pajtim Kasami
Pas shumë shëtitjesh nëpër Angli e Greqi, Pajtim Kasani rigjeti formën tek Sioni. Këtë vjeshtë u kthye me 8 gola, të gjithë vendimtar në fitoret e Sion në Kupë dhe Superligën e Zvicrës. Tri asistime shtesë, e bëjnë Pajtimin lojtari kryesor tek Sioni këtë sezon.
31. Mirlind Kryeziu
Rikthimi në fushë pas lëndimit nuk ishte i lehtë për Mirlindin. Pas një sezoni të rëndë, qendërmbrojtësi i Zurich u kthye në formacionin e parë për Superligën zvicerane, përfshirë edhe dy angazhime në Europa League. Viti nuk përfundohet si është më së miri, por pranvera e ardhshme pritet të jetë stina e Mirlindit!
30. Amir Rrahmani
I rregullt me Dinamon e Zagrebit në ligë sezonin e kaluar, Amiri këtë sezon e nisi me pjesëmarrje të rregullt në Europa League ku ishte i përfshirë në të gjitha ndeshjet grupore, përfshirë pesë starte. Por, suksesi më i madh i Amirit mbeten paraqitjet fantastike me Kosovën ku është shndërruar në njërën nga shtyllat kryesore të ekipit.
29. Loret Sadiku
Vonesat për lejen e FIFA-s të luaj për Kosovën, nuk po shpërqendrojnë Loretin të ofrojë super-ndeshje për Kasimpasan. Dhe jo vetëm super-ndeshje, por edhe gola të bukur. Me këtë formë vjeshtore, Loretin vitin e ardhshëm mund ta shohim edhe në Ligën e Kampionëve me ekipin turk! Me shumë fat, edhe për Kosovën.
28. Etrit Berisha
Pas transferimit përfundimtar nga Lazio, Etriti pati një sezon fantastik me Atalantan duke siguruar Evropën dhe gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ku u ndalën vetëm nga Juventusi. Vjeshta solli dyshime për pozitën e tij në portë, të cilën e rimori pa kaluar dy muaj duke qenë gardiani i parë i lombardëve përsëri.
27. Milot Rashica
Ndërrimi i ambientit nuk ishte aq i lehtë për Milotin. Një gol në pranverë, shtuar nga një tjetër dhe një asistim në vjeshtë disi mbeten nën aftësitë e tija reale. Por, vjeshta shfaqi këtë talent të tij më së miri me Kosovën. Gol dhe paraqitje dinjitoze japin shkëndijat e para për një vit që duhet të jetë edhe më i suksesshëm për të.
26. Frederic Veseli
Kthimi me Empolin në Serie A dhe paraqitje të rregullta për Shqipërinë e bëjnë këtë vit ndoshta më të mirin deri tashti në karrierën e qendërmbrojtësit shqiptar. Aftësia për të luajtur nëpër çdo pozitë në vijën e mbrojtjes edhe në Serie A, e bëjnë atë njërin prej mbrojtësve më mobil të kombit tonë.
25. Shkëlqim Demhasaj
Gjashtë gola e gjashtë asistime në tri gara e bëjnë këtë vjeshtë të Shkëlqimit efektive gati sa krejt sezoni i kaluar. Kalimi tek Luzern vetëm sa i ndihmoi përvojës së qendërsulmuesit 22 vjeçar i cili pati nderin të veshë edhe fanellën e kombëtares së Kosovës këtë vjeshtë.
24. Eros Grezda
Nisi këtë vjeshtë i lënduar, pas një sezoni të mirë me Osijekun. Megjithatë, kalimi tek Rangers ishte një hap i madh në karrierën e Erosit, i cili tek ekipi i Gerrard ka gjetur hapësirë të konsiderueshme qysh në gjysmë-sezonin e parë. Një gol këtë vjeshtë duhet të jetë vetëm fillimi për të në Ishull.
23. Bersant Celina
Bersanti ishte njëri ndër lojtarët me formën më të ndryshueshme gjatë këtij viti. Ndonëse hupi vendin e startuesit tek Kosova, me Swansea Cityn ai tregoi lojëra të mira. Në një ekip ku mungesa e talenteve nuk është problematike, Bersanit gjeti hapësirë në rolin e dhjetëshit klasik duke kontribuar dukshëm në fazën ofensive.
22. Atdhe Nuhiu
Vjeshta nuk ka qenë shumë e mirë për Atdheun. Pas golit në javën e parë, vijoi kartoni i kuq dhe rënie e përgjithshme e formës së ekipit të tij. Edhe me Kosovën më shumë ka qenë alternativë e dytë e sulmit, por pranvera ka qenë e jashtëzakonshme. Me dhjetë gola të shënuar në Championship vetëm në stinorin pranveror, Atdheu nuk mund të ankohet që nuk kishte një 2018 të mirë.
21. Sindrit Guri
Nga golashënuesi më i mirë në Superiore, tek njëri ndër pikat kyçe në sulmin e Oostendes. I rregullt në ekipin belg, Guri ka pasur një sezon jo aq efektiv në letër sa të suksesshëm në fushën e blertë. Është një garanci tjetër për sulmin e kombëtares së Shqipërisë.
20. Florent Hadërgjonaj
Ky vit ishte viti kur Florenti u kthye ndër lojtarët më të rregullt të Huddersfield Town, me të cilët siguroi mbetjen në Premier League. Sezoni i ri nisi me qëllimin e njëjtë për ekipin, por tani me Hadërgjonajn të rregullt. Pos me ekipin, Hadërgjonaj u thirr edhe nga kombëtarja e Zvicrës me të cilët pret paraqitjen e dytë.
19. Idriz Voca
Kontributi i kolonisë shqiptare tek Luzerni mund të dërgoj këtë ekip në Ligën e Kampionëve. Në vitin 2018, Idrizi u ngjit nga ekipi rezervë në ekipin e parë tek të cilët është kthyer në njërën nga shtyllat kryesore të mesfushës. Njëkohësisht erdhi edhe debutimi me Kosovën, ku pati një rol të përkryer në zëvendësimin e dy mesfushorëve qendror standard të kombëtares sonë.
18. Mërgim Vojvoda
Një mbrojtës krahu i cili nuk vërehet në letër, por është goxha i rëndësishëm në fushë. Me Mouscronin i shpëtoi rënies nga kategoria e parë belge, dhe këtë mision e vazhdon edhe në vjeshtë. Me Kosovën pati shpërthimin ndonëse mbeti në hije nga krahu tjetër i mbrojtës. Por, puna dhe kontributi i tij për kombëtaren ishin të mëdha.
17. Donis Avdijaj
Pas shumë problemeve me shtabin teknik të Schalkes, Holanda i erdhi mirë Donisit. Së pari ktheu formën në Roda, për të shkëlqyer këtë vjeshtë në Willem II. Dyfishoi numrin e golave (8), e trefishoi numrin e asistimeve (6) në vjeshtë duke shtuar edhe nja dy paraqitje fenomenale për Kosovën. Mund të jetë vetëm fillimi i ringjalljes së Donisit.
16. Adnan Januzaj
Goli i shënuar me Belgjikën ishte kulmi i një sezoni këndelljeje për Januzajn. Një vit me lëvizje në formë në Realin e Sociedadid, ku ende nuk duket se është përshtatur, nuk garanton përdorimin e plotë të talentit të tij. Pritjet për të janë më të mëdha se kaq.
15. Elseid Hysaj
Përzgjedhja e Ancelottit është rotacioni i rregullt, dhe rrjedhimisht Hysaj do të ketë më shumë ndeshje pushim tani e tutje me Napolin. Pritet të jetë viti i fundit me ekipin me të cilët u bë nënkampion dhe kaloi vitet më të mira të karrierës me Sarrin. Një fillim i ri do të ishte vendim i mençur për Hysajn!
14. Vedat Muriqi
Me transferimin tek Rizespor në janar, Vedati ndihmoi ekipin turk me tetë gola e tri asistime të ngjitet në Superligën turke. Këtë vjeshtë, mbijetesa mbetet qëllimi kryesor për të cilin Vedati ka shënuar pesë gola, përfshirë edhe një në fitoren e vetme kundër Fenerbahçes. E me Kosovën pati një vit fantastik, si shumica e ekipit.
13. Shkodran Mustafi
Pa faj të tijin humbi vendin tek Gjermania, por me Arseanalin, në mungesë të Koscielnyt, u kthye në njërin nga lojtarët më të rëndësishëm në vijën e mbrojtjes. Nuk ishte sezoni më i mirë në karrierë, por Mustafi kontribuoi si në mbrojtjen e portës së ekipit të tij, si në shënimin e golave, që në ligën më të mirë në botë nuk është punë e lehtë.
12. Ezgjan Aliu
Në ligën më të mirë në botë nga sezoni i ardhshëm mund të kemi edhe një lojtar me prejardhje shqiptare. Ezgjani në dy sezonet e fundit është ndër krahët kryesorë të sulmit të Leeds United. Jo vetëm asistimet e tija po kontribuojnë në kthimin e këtij gjiganti anglez në Premier League. Në 24 ndeshje në Championship këtë sezon ka shënuar 3 gola, gjersa ishte njëri ndër emrat kryesor në suksesin e Maqedonisë në Kupën e Kombeve.
11. Albian Ajeti
Kalimi nga St. Gallen tek Basel, ku shënoi edhe 14 gola tjerë pas 3ve të shënuar tek ekipi paraprak, ishte hapi i parë drejt një viti pasues të shkëlqyeshëm për Albianin. Vjeshta filloi me të njëjtin ritëm, duke shtuar edhe pesë paraqitje të vazhdueshme për Zvicrën me të cilët siguroi një rikthim maestral për finalen e Kupës së Kombeve. Dhe të gjitha këto me vetëm 21 vjeç!
10. Thomas Strakosha
Pati rolin kyç në suksesin e Lazios në Itali dhe Evropë, sukses i cili u lëshua në fazat e fundit në të dyja garat. E vjeshta, përkundër rezultateve të dobëta të Lazios, është edhe më e mirë se e kaluara për Thomasin, i cili punën e tij po e kryen me sukses. Po ecën hapave të së atit, emrin e të cilit tashmë e ka hijezuar.
9. Hekuran Kryeziu
Lirshëm mund të them që ishte transferimi më i qëlluar në Superligën zvicerane. Kaloi si lojtar i lirë tek Zurich, me të cilët mungoi vetëm një ndeshje në ligë shkaku i kartonëve. Shënoi edhe dy gola, gjersa ishte vendimtar edhe në Europa League.
Por, mbi të gjitha ishte truri i ekipit të Kosovës në rrugë drejt finales së Ligës D në Ligën e Kombeve. I mahnitshëm!
8. Lirim Kastrati
Nga transferimi i vitit tek shpërthimi i vitit. Djaloshi 19 vjeçar nga Hogoshti i Kikës, la gojëhapur të gjithë duke shtyrë Lokomotivën drejt formës historike në sezonin vjeshtor. Me shtatë gola të shënuar dhe 2 asistime, Lirimi ishte kyç në suksesin e ekipit kroat që njihet si fermë për Dinamon e Zagrebit. Një perlë e cila Kosovës i jep krahë për 15 vitet e ardhshme!
7. Valon Berisha
Lëndimi ndërpreu hovin e pandalshëm të kapitenit të ri të Kosovës. Edhe kalimi tek Lazio nuk ndihmoi aq shumë. Por, sezoni i ardhshëm me shitjen eventuale të SMS, pritet të japë hapësirë të mjaftueshme Valonit për të shkëlqyer edhe një herë. Pa marrë parasysh pjesën e dytë të vitit, Valoni ishte ndër figurat kryesore që ndihmoi Salzburgun deri në gjysmëfinalen e Europa League dhe titullin e radhës në kampionatin austriak.
6. Enis Bardhi
Sfiduesi i Lionel Messit për ekzekutuesin më të mirë të gjuajtjeve të lira në La Liga!
Një sezon i shkëlqyeshëm me Levanten, ku luajti liderin e ekipit, trurin e mesfushës. Të njëjtën bëri edhe me Maqedoninë të cilët i plasoi në finale të Ligës D në Ligën e Kombeve.
5. Valon Behrami
17 qershor, 2018, ora 20:00 – paraqitja e karrierës për Valon Behramin kundër kampionëve të pesëfishtë të botës!
4. Granit Xhaka
Mund të përmendim datën edhe për Granitin dhe Xherdanin, por që të dy kanë shkëlqyer edhe më shumë me ekipet e tyre. Edhe me shirit kapiteni, edhe në pozitën e mbrojtësit të majtë e qendërmbrojtësit, Graniti ka treguar një ego lideri tek Arsenali njëkohësisht duke punuar në temperamentin e tij në fushën e lojës. I ndihmuar me ardhjet e reja, ngritja e Granitit vetëm sa do të prekë maja më të larta gjatë vitit të ardhshëm.
3. Xherdan Shaqiri
Super-sezon i Xherdanit me Zvicrën dhe Liverpoolin. I dalë si njëra ndër blerjet më të vyeshme të Liverpoolit, duke shënuar edhe në derbin klasik anglez, edhe në garat evropiane, Xherdani ka arsyetuar çmimin ndoshta më shumë se cilado blerje e kësaj vere tek Liverpool, e edhe në Premier League. Mund ta konsiderojmë si rezerva më e mirë që mund ta ketë një ekip, por edhe për sa kohë? Me formën e lojërat që ka shfaqur, shumë shpejt mund të jetë i rregullt në 11shen e Liverpoolit.
2. Arbër Zeneli
Lideri i kombëtares së Kosovës, i cili me het-trikun e tij të parë për kombëtaren na vulosi biletat për finalen e Ligës D në Kupën e Kombeve. Paraqitje mjeshtërore për kombëtaren, në një vjeshtë e cila pritet t’i hap dyert drejt mundësive të reja më të mëdha.
Për fansat e Heerenveenit asgjë e pazakontë. Të mësuar me magjitë e Arbërit, tetë asistimet e tij këtë vjeshtë e vendosin atë para yjeve si Hirving Lozano e Steven Bergwijn vlera e të cilëve kalon 20 milionët. Shumë shpejtë mund të bëhet lojtari më i shtrenjtë shqiptar ndonjëherë!
1. Benjamin Kololli
Para se të merrnin falas Hekuranin, Zurich investoi në Benjaminin, i cili doli të ishte vjedhja e verës në Superligën zvicerane. Me nëntë gola e 6 asistime për ekipin, Benjamini ishte thelbësor në suksesin vjeshtor të Zurichut në fazën ofensive. E për Kosovën ishte jonjerëzor! Ia pamëshirshëm për kundërshtarin, i pandalshëm nga kundërshtari, i gjetur në çdo cep të fushës, duke mbrojtur e sulmuar në çdo moment kur nevojitej, Kololli ishte futbollisti shqiptar më i mirë për vitin 2018!