Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE PËR VEND TË DYTË

Shqipëria feston me lojë të bukur

Foto: FSHF

Shqipëria feston me lojë të bukur


20 June, 2023 @22:49

Fitore më se e merituar e Shqipërisë në ishullin e largët ndaj Ishujve Faroe sonte, ndërsa ekipi i drejtuar nga braziliani Sylvinho tashmë ka marrë formë tjetër loje dhe agresiviteti në zonë të tretë të fushës po vërehet, derisa kjo në fund po shfaq edhe rezultat.

Shqipëria mposhti Ishujt Faroe në Torshavn, ndërsa pasi që pjesa e parë përfundoi 1-1, në pjesë të dytë kuqezinjtë kontrolluan edhe më mirë lojën për të arritur te fitorja, Ishujt Faroe 1-3 Shqipëria [Faero 45+1 - Nedim Bajrami 20, Kristjan Asllani 51, Ernest Muçi 90+1].

Pas golit fillestar të Nedim Bajramit (të dytit në dy ndeshjet e fundit) Shqipëria humbi rastin ideal, kur Sokol Cikalleshi nuk arriti të shënojë nga penalltia në minutën e 32 të ndeshjes. Ishte Gestsson që mbrojti penalltinë e tij. Gestsson ishte në formë të mirë sonte, derisa mbrojti edhe disa raste të mira më vonë.

TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE drejt EURO2024

Penalltia e pashënuar, ndëshkoi menjëherë, derisa Faero me kokë pas kornerit shënoi në portë, ku Etrit Berisha ishte vendosur pak më larg se mesi i portës.

Pjesa e dytë nisi me një perlë të Kristjan Asllanit, që sonte ishte startues për dallim nga ndeshja e para tri ditëve me Moldavinë, pasi që Sylvinho kishte futur atë dhe Taulant Seferin në 11-she startuese në dallim prej ndeshjes së kaluar kur kishte nisur me Baren e Uzunin.

E Asllani dha një gol, që rrallë shihet për të qetësuar kërkimin e golit. Mirëpo, përzgjedhësi kërkues nuk ndalej duke u folur lojtarëve për golin e rehatisë, që edhe pse erdhi vonë, u arrit pikërisht nga zëvendësuesi Ernest Muçi, që shënoi pas asistimit të zëvendësuesit tjetër Myrto Uzuni për 1-3.

Fitorja çon Shqipërinë në vend të dytë pas tri ndeshjeve të zhvilluara, derisa njëra ndër rivalët e saja për EURO2024 Polonia, u mposht befasisht nga Moldavia sonte, për të pësuar edhe humbjen e dytë në grup. Çekia është ekipi i vetëm në grup që s’ka humbje dhe është aktualisht lider, me një pikë më shumë sesa Shqipëria.◼️

 


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Evropian