PAS MBLEDHJES SË KE-së
Primozh Gliha edhe zyrtarisht merr drejtimin e Kosovës
4 July, 2023 @15:59
Ashtu siç njoftoi TopSporti.com nga burimet brenda FFK-së edhe u bë. Slloveni Primozh Gliha iu rikthye kombëtares së Kosovës sot, me një vendim të KE-së së FFK-së, pas mbledhjes së mbajtur gjatë ditës.
Por, risia këtu është se ai do të bashkëpunojë me treshen kosovare në kombëtare, për të ngritur cilësinë, Afrim Tovërlani, Arbnor Morina dhe Ahmet Beselica. Bashkë me ta do të jetë edhe Thomas Richards. Ky i fundit është trajner kondicional, dhe analist futbolli.
DUELET E KOSOVËS dhe TABELA AKTUALE
Ndërsa FFK në njoftim të vetin ka shkruar.
“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar për çështje të ndryshme me rëndësi për futbollin kosovar si dhe për ecurinë e përgatitjeve për edicionin e ri të garave. Në këtë mbledhje ndër çështjet kryesore që u diskutuan ishte zgjedhja e ekipit të trajnerëve që do ta drejtojnë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024. Kësisoj, pas diskutimeve të arsyeshme, KE i FFK-së vendosi që në krye të shtabit teknik të emërohet Primozh Gliha, derisa atij do t’i ndihmojnë Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards. KE i FFK-së ka vendosur që t’ia besojë drejtimin e Dardanëve ekipit të brendshëm të trajnerëve që tashmë janë të angazhuar në ekipet kombëtare. Ata njëherësh do të qëndrojnë në ekipet e grupmoshave që i drejtojnë, por do të jenë të angazhuar për të ndihmuar përzgjedhësin Gliha në Kombëtaren A.” — ka shkruar njoftimi i Federatës.◼️