LIVERPOOL - ARSENAL
Erë kampioni në Anfield
29 December, 2018 @21:30
Tetë fitore me radhë në Premier Ligë dhe 10 fitore në 11 ndeshjet e fundit, bëjnë Liverpoolin t’i afrohet ëndrrës së kahmotshme.
Edhe pse posa nisi pjesa e dytë e Premier Ligës, Liverpool me lojën që po tregon tashmë duket vështirë i ndalshëm në rrugë drejt titullit kampion.
Posaçërisht pas humbjes së sotme të Tottenhamit dhe deklaratës së Mauricio Pochetinos: “Nuk jemi makina, mund të lodhemi edhe ne.”
E Liverpool është e kundërta e kësaj, ekipi nuk po lodhet. Kur s’shënojnë Mohamed Salah ose Xherdan Shaqiri nga loja, në skenë del Roberto Firmino, që sot me hat-trick së pari përmbysi, pastaj edhe siguroi fitoren e të kuqve ndaj Arsenalit në Anfield Roadin që festoi në fund gjithçka.
Jurgen Klopp ishte gati të qajë. Ai e pranoi se kur Salah në rezultatin 4-1 lejoi që penalltinë ta shutojë Firmino për të kompletuar hat-trickun, ishte e prekshme për të.
Shpirti ekipor, miqësia mes lojtarëve dhe rezultatet mbi gjithçka - dëshmojnë një gjë: Liverpool, ndoshta pengesën kryesore në rrugë drejt titullit e ka në duelin e radhës, pas Vitit të Ri, më 3 janar ndaj Manchester Cityt në Etihad.
Liverpool aktualisht ka 9 pikë më shumë sesa ndjekësi i parë, Tottenham.
Liverpool ende nuk ka pësuar humbje këtë stinor: 20 xhiro = 17 fitore + 3 barazime.
Liverpool është ekipi i vetëm në Premier Ligë që ende nuk ka pranuar përgjatë 2018/19 gola dyshifror në portë. Ekipi ka pranuar vetëm tetë gola në 20 përballje të elitës, ndërsa ka shënuar 48.
Po qe se Klopp me futbollistët e tij e kalon edhe këtë pengesë, atëherë Liverpool do të bëj një hap madhor drejt titullit, të parë që prej sezonit 1989/90.
“Përgjigjja jonë pas golit të pranuar ka qenë e klasit botëror. Në pjesë të dytë e kontrolluam lojën sepse asgjë s’kishte përfunduar, përkundër rezultatit. Salah ia dha penalltinë Bobbyt dhe unë isha gati të qaj. Të gjithë e dimë se sa dëshirë ka Salah të shënojë gola. Por, ai për t’ia mundësuar hat-trickun shokut të skuadrës, ia dha mundësinë nga penalltia,” kanë qenë fjalët e Kloppit pas fitores.
MAN OF THE MATCH:
Roberto FIRMINO (Liverpool) |