MANCHESTER CITY KAMPION EVROPE
Manchester City për herë të parë fiton Ligën e Kampionëve, kompleton tripletën!
10 June, 2023 @23:03
Manchester City i drejtuar nga Pep Guardiola është kampioni më i ri i Evropës në futboll, ndërsa ekipi në fjalë është fitues i tripletës së madhe në futboll, pasi që fitoi titullin kampion në Angli, Kupën e shtetit dhe së fundi edhe trofeun më të rëndësishëm të Evropës pas vitesh kërkimi.
Ka qenë spanjolli Rodri, që vendosi ndeshjen me një goditje të tij në minutën e 68 të ndeshjes, në një duel mjaft të vështirë, me raste nga të dyja palët, kurse portieri i Cityt, Ederson, ka shpëtuar një super-mundësi të Romelu Lukakut të Interit më pas për të mohuar italianëve barazimin… Manchester City 1-0 Inter, FT.
Rodri u bë hero, ndërsa Manchester City fitoi finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, pas një ndeshjeje historike, ku ekipi i Pep Guardiolës fitoi tripletën. Guardiola u bë trajneri i parë në histori të futbollit evropian që fiton tripletën për të dytën herë, pas asaj me Barcelonën.
Ekipi i Cityt ishte larg asaj që pritej sonte në Ataturk StadIum të Stambollit, por prapëseparë ata arritën që të gjejnë rrugën për tu kurorëzuar me titull. Dominimi i mësuar i Manchester Cityt nuk funksionoi sonte, derisa Inter tregoi lojë të mirë dhe pati raste të mira për të shënuar.
Lëndimi i Kevin De Bruynes shtoi telashet te City, ndërsa Inter pati raste tejet të mira me Lautaro Martinezin, Federico Dimarcon dhe në fund edhe me zëvendësuesin Romelu Lukaku - raste që shkuan në pakthim!
Momentet e ndeshjes, mes minutash
Bernardo Silva tentoi së pari në stilin e tij (18’), duke provuar me efe nga e djathta për të gjetur këndin e djathtë të Onanas, mundësi që disa centimetra nuk u gjet në portë. Pastaj Erling Haaland tentoi në depërtim (25’), pas asistimit të Kevin De Bruynes. Onana e dëboi topin.
Në pjesë të dytë, presioni i Interit në mesfushë bëri që Akanji të harrojë detyrën e komunikimit me Edersonin (58’), për të mbetur topi te Lautaro, që tentoi menjëherë golin e nuk pasoi në mes ku e priste Lukaku! Rast ideal për nerazzurrët. Ky ishte momenti kur Pep Guardiola në zonën e trajnerit ra në gjunjë, duke shpresuar të mos hynte goli pas gabimit përpak fatal të mbrojtjes. Lutjet e tij këtu u pranuan.
Pas kësaj erdhi goli për citizens. Ata e kërkuan atë në një sulm të stërzgjatur, derisa me punën e Fodenit dhe Gundoganit, topi rrodhi deri te Bernardo që tentoi krosimin nga zona, e topi i dëbuar erdhi para Rodri, që shutoi mjeshtërisht për fitore (68’). Menjëherë pas golit, Dimarco me dy raste nga afërsia - thjesht s’ia deshti, një goditje me kokë, u kthye nga shtylla, tjetra në rikthim, u ndalë nga këmba e Lukakut (71’). Foden më pas tentoi me një ikje mjeshtërore (77’), Onana ia ndaloi lehtë goditjen.
Kliko X për të parë momentet dhe golin vendimtar të ndeshjes Manchester City - Inter
NOTAT E FUTBOLLISTËVE:
MAN CITY: Ederson 7, Ake 7, Dias 8, Akanji 7, Stones 8, Rodri 8, Silva 7, De Bruyne 6, Gundogan 7, Grealish 6, Haaland 6. Rez.: Foden 6, Walker n/a.
INTER MILAN: Onana 7, Darmian 7, Acerbi 7, Bastoni 7, Dumfries 7, Barella 7, Brozovic 7, Calhanoglu 7, Dimarco 7, Dzeko 6, Lautaro Martinez 6. Rez.: Lukaku 5, Gosens 6, Bellanova 6, Mkhitaryan n/a, D’Ambrosio n/a.◼️