Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LUDOGORETS - BALLKANI

Fitorja në Prishtinë s’mjafton, Ballkani mposhtet në Bullgari dhe eliminohet

Foto: FC Ludogorets

Fitorja në Prishtinë s’mjafton, Ballkani mposhtet në Bullgari dhe eliminohet


19 July, 2023 @21:56

Përkundër fitores 2-0 në ndeshjen e parë në Prishtinë, Ballkani u mposht sonte 4-0 nga Ludogoretsi me përvojë në ndeshjen kthyese në Bullgari, për t’u eliminuar kështu nga rrethi i parë kualifikues i Champions League.

Takimi nuk filloi aspak mirë për suharekasit. Një pakujdesi e mbrojtjes së Ballkanit bashkë me një dalje jo të menduar mirë të Enea Koliçit bënë që Ludogoretsi ta gjente epërsinë që në minutën e 4’. Ishte Tekpetey ai që shënoi për bullgarët.

Rreth 10 minuta më vonë, një super pritje e Koliçit e mbajti rezultatin në 1-0, me vendasit që patën mundësi tejet të mirë për shënim.

Dalëngadalë, Ballkani u lirua nga presioni i fillimit të ndeshjes dhe filloi të luante më qetë, por pa ndonjë rast të rrezikshëm për shënim. Por, për fatin e keq të suharekasve, goli i dytë u pranua krejt në fund të pjesës së parë, në një moment tejet të jofavorshëm në aspektin mental. Kështu, pjesa e parë u mbyll 2-0 për vendasit. Edhe goli i dytë i vendasve u shënua nga Tekpetey (45+1’).

Gjërat u përkeqësuan edhe më tepër pothuajse me të filluar pjesa e dytë. Në minutën e 49’, një pasim jo i mirë i Bajram Jashanicës drejt Enea Koliçit, përfundoi te sulmuesi vendas Tissera (49’), i cili shënoi për 3-0.

E fitorja dhe kualifikim vendas u vulosën në minutën e 76’. Një gabim i Potokut të inkuadruar nga banka rezervë bëri që bullgarët ta gjenin veten në pozitë të mirë shënimi dhe këtë mundësi ata e shfrytëzuan maksimalisht, 4-0 pas 78 minutave lojë. Caio Vidal ishte futbollisti vendas që e gjeti rrjetën këtë herë.

Në vazhdim të ndeshjes më gola nuk pati dhe takimi u mbyll me rezultatin përfundimtar 4-0, rezultat më se i mjaftueshëm për vendasit që të kalojnë në rrethin tjetër të Champions League, ku i pret skuadra sllovene Olimpija Ljubljana.

Gjithsesi, aventura evropiane e Ballkanit për këtë sezon nuk përfundon këtu. Pas eliminimit nga Champions League, Ballkani tash aventurën evropiane do ta vazhdojë në UEFA Conference League, ku do të përballet në rrethin e dytë kualifikues me skuadrën humbëse nga dueli Larne vs. HJK Helsinki (duel i cili po zhvillohet në këto momente).◼️


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga