Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FEDERATA NJOFTON

Projekti i fushave: Në Zhur e Dragash, përfundon faza e parë

Foto: FFK

Projekti i fushave: Në Zhur e Dragash, përfundon faza e parë


Teksti: FFK

21 July, 2023 @11:43

Federata e Futbollit e Kosovës me shumë përkushtim po vazhdon implementimin e projekteve të cilat janë paraparë të realizohen brenda ciklit katërvjeçar. Si një nga më të rëndësishmit pa dyshim është projekti për zhvillimin e infrastrukturës në bashkëpunim me komunat, i cili ka gjetur zbatim të mirë në praktikë.

Pas memorandumeve të nënshkruara në mes krerëve ndërinstitucional, punët janë kryer me intensitet të shpejtë. Projekti në bashkëfinancim me komunat, e i cili është mbështetur nga programi UEFA HatTrick është paraparë të realizohet në të gjitha regjionet e Kosovës. Qëllimi i këtij projekti është t’u ofrojë të rinjve nga mbarë Kosova hapësira sportive, përkatësisht fusha të futbollit bashkë me objektet përcjellëse, në të cilat ata do të mund të aplikojnë lojën e futbollit, të zhvillohen kategoritë e reja dhe të mundësohet një përfshirje sa më e madhe e fëmijëve të të dy gjinive në këtë sport.

Gjatë një periudhe të shkurtër është arritur të punohet në realizimin e këtij projekti në disa vende. Fushat me bari sintetik në qytete të ndryshme të Kosovës thuajse kanë përfunduar, ndër to janë fusha në Brestovik të Pejës, e cila është në fazën finale, ashtu siç është edhe ajo në Gjonaj të Prizrenit, ku po punohet tashmë me intensitet në ndërtimin e objekteve përcjellëse.

Ndërsa në Zhur dhe në Dragash faza e parë e punimeve ka përfunduar, derisa shumë shpejt do të fillohet me fazën e dytë. FFK synon të vazhdojë këtë projekt edhe me komunat tjera për të mundësuar që çdo vend ku ka më shumë se 25 lojtarë që luajnë dhe e praktikojnë futbollin të ndërtohet një fushë. Nëpërmjet këtij projekti, të rinjtë do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë hapësirat sportive të reja dhe të ndjekin pasionin e tyre për futbollin, ndërsa në të njëjtën kohë do të rritet ndjeshmëria sociale dhe ekonomike në komunitetet ku ky projekt do të realizohet.◼️


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e Dytë