EKSKLUZIVE
Guri Hana kalon te Shkëndija
10 July, 2023 @21:13
Qendërmbrojtësi i deritashëm i Trepçës’89, Guri Hana, mësohet se ka arritur marrëveshje me ekipin e Shkëndijës nga Hajvalia. TopSporti.com ka mësuar nga burimet e afërm me lojtarin se marrëveshja me klubin është arritur, ndërsa pritet të bëhet edhe nënshkrimi zyrtar në kontratë.
Hana është 21-vjeç dhe 188-centimetra i gjatë, ndërsa pos ‘89-shit ka qenë edhe pjesë e Besës dhe Ramiz Sadikut në të kaluarën. Vlera e tij në Transfermarkt llogaritet të arrijë 50 mijë euro, ndërsa ai njihet si mbrojtës luftarak me ndërhyrjet e tij.
Qendërmbrojtësi në fjalë disa herë ka qenë pjesë e 11-shes së javës në TopSporti.com përgjatë stinorit 22/23 derisa luajti me Trep֛çën’89 në Superligë.
Shkëndija përndryshe, është bërë kampione e Ligës së Dytë në stinorin që e lamë pas dhe ekipi do të jetë pjesë e Ligës së Parë në kuadër të edicionit 2023/24 të garave, ndërsa pritet të vendoset nga FFK-ja se në cilin grup do të futet, A apo B, pasi që të dyja skuadrat e futura nga Liga e Dytë në Ligën e Parë sipas rajonit i takojnë Grupit B.◼️