DANEZI NË OLD TRAFFORD
Rasmus Højlund - para zyrtarizimit te Manchester United
30 July, 2023 @14:11
Sulmuesi danez, Rasmus Højlund, pritet të zyrtarizohet shpejt te Manchester United, ndërsa mediat angleze kanë bërë të ditur se rreth 85-milionë euro do të përfitojë Atalanta për ta liruar lojtarin.
I lindur në Kopenhagë me 191-centimetrat e tij dhe në moshën 20-vjeçare, Højlund llogaritet t’i dalë Manchester Unitedit një “viking” tjetër sikurse rivali i tyre Manchester City kur mori Erling Haalandin.
Højlund kishte ardhur te Atalanta për 17-milionë euro në verë të kaluar prej Sturm Grazit austriak, ndërsa këta të fundit i kishin paguar 2-milionë euro FC Copenhagenit për transferin e tij në janar të vitit të kaluar.
Højlund në stinorin e kaluar dha 20 gola për Atalantën dhe Danimarkën në 47 paraqitje në total. Në mars ai shënoi hat-trick për Danimarkën në fitore ndaj Finlandës, në përballjen kualifikuese për EURO 2024.◼️