Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PAS NDESHJES

Sylvinho: Jemi në garë për evropian

Pablo Zabaleta dhe Sylvinho, duke vëzhguar stërvitjet e kuqezinjëve/ Foto: FSHF

Sylvinho: Jemi në garë për evropian


20 June, 2023 @23:36

Trajneri brazilian i Shqipërisë, Sylvinho, në deklaratën e tij dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e Digitalb ka thënë se ndeshja ndaj Ishujve Faroe ka qenë shumë e vështirë, ndërsa djemtë kanë luajtur shumë mirë për të kryer punën si duhet.

Ai ka theksuar se ekipi me këtë fitore është në garë për evropian, duke ditur se sa e lodhshme është të udhëtosh e të luash në Torshavn, ndërsa gjasat për kualifikim janë të njëjta si në ditën e parë.

TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE drejt EURO2024

“Tepër është vështirë të luash këtu. Një pasim i gjatë i tyre mund të të rrezikojë gjithçka. Por, të shohim anët pozitive, kemi fituar me rezultat 1-3, ndërsa Shqipëria ka dy vjet që s’ka fituar dy ndeshje radhazi. Djemtë kanë bërë shumë mirë sot, ndërsa të gjithë kanë kryer punën si duhet,” ka thënë fillimisht ai.

“Shanset janë të njëjta si përpara. Me rëndësi është që erdhën dy fitore radhazi. Kam thënë që në fillim që grupi është shumë i ekuilibruar dhe i vështirë. Jemi të kënaqur me fitoret dhe jemi tërësisht në garë për kualifikim,” ka shtuar përzgjedhësi brazilian i kombëtares.

Shqipëria ka kërcyer në vend të dytë të Grupit E kualifikues për EURO2024, ku në tri ndeshje ka gjashtë pikë. Favoriti kryesor i grupit Polonia u mposht sonte nga Moldavia befasisht dhe kjo i konvenoi kuqezinjëve. Çekia është deri tash ekipi i vetëm pa humbje në grup dhe zë vendin e parë. Dy vendet e para në grup sigurojnë plasmanin në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.◼️


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Evropian