Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

OPINION

EURO 2024: Grupi i herës së parë dhe fati në short për Kosovën!

Fotot: TOPSPORTI.COM/ A. P.

EURO 2024: Grupi i herës së parë dhe fati në short për Kosovën!


Editorial @ TopSporti.com

10 October, 2022 @21:19

Së pari Zvicra nga vazoja e parë, e pastaj Izraeli nga vazoja e dytë. Doli edhe Rumania nga vazoja e tretë — të gjitha këto u futën në Grupin I kualifikues për EURO 2024.

Derisa shikoheshin grupet dhe tri ekipet e para pjesëmarrëse, ndërsa Kosova bënte pjesë në vazon e katërt, ishte momenti për të reflektuar fuqitë e grupeve — dhe atë shpejt.

Grupet e vështira

Nga vazoja e parë, Zvicra nga e dyta Izraeli - dukeshin ekipet më të përballueshme prej të gjithëve!

Kur sheh Spanjën e Skocinë në Grupin A, pastaj Holandën e Francën në Grupin B, Italinë e Anglinë në Grupin C si dhe të tjerat radhazi — për Kosovën ishte një lloj “bingo” nëse mund të quhet kështu, dora e Demetrio Albertinit kur e tërhoqi atë në Grupin I!

Kosova vs. Czechia

Grupi G, ndoshta do të mund të ishte opcion për kah fuqia, por duke ditur se me Serbinë ndeshja me Kosovën është e ndalur në kualifikime, atëherë ra në ujë ky grup, që nga vazoja e parë nxorri Hungarinë në formë dhe Malin e Zi në vazon e tretë!

Ndalesat dhe fati në short

Grupi J, gjithashtu ra nga opcioni, përkundër se do të ishte e bukur një ndeshje ndaj Portugalisë, por pasi që aty ishte Bosnja e Hercegovina — ndalesa e radhës për Kosovën nga UEFA-ja, atëherë lirisht mund të thuhet se shorti ishte me fat për Kosovën, nëse shikohet fuqia e tri ekipeve të para!

Shiko: GRUPET DREJT EURO 2024

Grupi D, pak më i prekshëm me Kroacinë, Uellsin dhe Armeninë! Por jo, përsëri I-ja në llogaritë e përgjithshme del më e pranueshme dhe më e përballueshme.

Kalojmë te dy të poshtmit, Bjellorusia e Andorra. Pas tërheqjes së Kosovës në Grupin I dhe sigurimit të “bingos”, tash priteshin dy skuadrat e fundit, derisa si pjesëmarrës në Grupin I dihej që grupi do të përbëhej nga gjashtë skuadra.

Kosova vs. England

Derisa Bjellorusia nuk mund të konsiderohet si e lehtë, si për shkak të renditjes ashtu edhe për shkak të papërshtatshmërisë së lojës së tyre dhe korpulencës që kanë lojtarët, Andorra duhet që patjetër të kalohet lehtë dhe atë me gola, për të qenë së paku në avantazh për kah golat, me një goldallim të mirë.

Grupi i ‘sefteve’

Bjellorusia së fundi do të luajë PlayOut për të shikuar nëse shpëton nga rënia në Ligën D të Kombeve, pasi që në edicionin e posa përfunduar të ligës kryen Grupin 3 të Ligës C të fundit, pa fitore, por me tre barazime dhe pos njërës, dy humbjet tjera minimale! Kuptohet është në rënie, por loja e papërshtatshme - mund të shkaktojë telashe të paplanifikuara.

E ajo që është edhe më interesantja nga të gjitha është fakti që Kosova nuk ka luajtur me asnjërën nga kombëtaret e këtij grupi ndonjëherë ndeshje zyrtare!

Me të gjithë kundërshtarët Kosova do të ndeshet për herë të parë në Grupin I kualifikues për EURO 2024 që do të mbahet në Gjermani, përgjatë vitit të ardhshëm 2023, ndërsa kalendarin/orarin e ndeshjeve mund ta shihni këtu. Si me Zvicrën, me Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë e Andorrën - të gjitha do të jenë takimet e para të Kosovës në ndeshje zyrtare në aventurën e saj drejt evropianit.

Vedat Muriqi celebrates his goal vs Montenegro

Pritjet… normale, për një kombëtare si Kosova që po shënon ngritje të ngadalshme. Ndërsa afrimet e ardhshme mund të sjellin edhe cilësi pas përshtatjes në ekip, nëse FFK-ja do të mund të aranazhojë ndonjë miqësore të hajrit në datat e lira nga UEFA/FIFA.

Synimet?

Synimi fillestar duhet të jetë minimalisht vendi i tretë, ndërsa ajo që mund të bëjnë lojtarët në fushë me pak fat - është vendi i dytë dhe kualifikimi në EURO 2024! E që do ta kuptojmë në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Ajo që nuk po përfolet fare dhe nuk u diskutua ishte Alain Giresse dhe ecuria në Ligën C të Kombeve dhe si duket ai po konfirmohet në vazhdim me Kosovën drejt kualifikimeve për EURO 2024!

Kreu dhe përzgjedhësi!

Një gjë që u kuptua gjatë dhe pas shortit është që kreu i FFK-së Agim Ademi u gëzua me grupin ku u shortuam dhe pas kësaj në deklaratë për faqen zyrtare të Federatës ka thënë se synim është kualifikimi, ndërsa përzgjedhësi Alain Giresse ka thënë se do të luftojnë për më të mirën, por nuk ka përmendur objektivin.

“Uroj që ta kemi ekipin mirë me shëndet dhe pa lëndime në muajin mars. Grupi është korrekt. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi në të gjitha drejtimet për t’u kualifikuar. Është momenti ynë. Na priftë e mbara dhe pres përkrahjen e të gjithëve, të institucioneve, të Dardanëve, të komunitetit të futbollit dhe gjithë faktorit shqiptar në vend dhe sidomos Diasporës tonë. Kombëtarja e Kosovës është e të gjithëve pa dallim. Të gjithë e kemi të drejtën dhe rolin e barabartë në këtë pikë“, ka theksuar Ademi.

“Tani kemi verdiktin e shortit dhe e kemi këtë grup dhe duhet të shohim si mund të kualifikohemi. Mund të ishte një grup më i vështirë, por nuk do të thotë se jemi të magjepsur. Sidoqoftë, mendoj se mund t’i japim vetes ambicien për të arritur një paraqitje të bukur në këtë grup. Sigurisht, do të kemi një ndeshje speciale e ajo është ndeshja kundër Zvicrës, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mes dy popujve janë të veçanta. Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, ka theksuar Giresse për faqen zyrtare të FFK-së, pas tërheqjes së shortit në Frankfurt.

Mëposhtë, FIFA renditjet e tetorit 2022 të skuadrave të Grupit I, përfshirë Kosovën si dhe vendndodhjet e tyre në garën e fundit, në Ligë të Kombeve 2022/23.



RIVALËT E GRUPIT DHE RENDITJET:

FIFA RENDITJA - TETOR 2022 15. Zvicra
53. Rumania
76. Izraeli
97. Bjellorusia
107. Kosova
151. Andorra
LIGA E KOMBEVE, EDICIONI 2022/23 ZVICRA - E treta në Grupin 2 të Ligës A, pas Spanjës e Portugalisë dhe mbi Çekinë.

IZRAELI - fitues i Grupit 2 në Ligën B të Kombeve. Ka siguruar PlayOffin për EURO 2024 nga Liga e Kombeve si dhe pjesëmarrjen në Ligën A të Kombeve në edicionin e radhës.

RUMANIA - e fundit në Grupin 3 të Ligës B të Kombeve, bie në Ligën C të Kombeve në edicionin tjetër pasi që kishte pikë të njëjta si Mali i Zi por me goldallim më të dobët, pas ndeshjeve të ndërsjella dhe vetëm një pikë më pak se vendi i dytë, Finlanda.

KOSOVA - e dyta në Grupin 2 të Ligës C të Kombeve, pas Greqisë dhe mbi Qipron e Irlandën Veriore.

BJELLORUSIA - e fundit dhe pa fitore në Grupin 3 të Ligës C të Kombeve, me tri pikë nga tri barazime. E renditur pas Kazikasitanit, Azerbajxhanit dhe Sllovakisë.

ANDORRA - E treta në Grupin 1 të Ligës D të Kombeve, me 2 fitore ndaj Lihtenshtajnit dhe nga një barazim me Molldavinë e Letoninë.


i:

1 Për shkrime, opinione e sygjerime: [email protected]

 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Evropian