PËRMBLEDHJE
Kosova në 2016!
Shkruan: Gent POLLOSHKA
29 December, 2016 @13:00
Në prag të vitit 2017, Borozani.com ka zgjedhur ngjarjet më të mëdha që kanë ndodhur në sportin e Kosovës në vitin kalendarik 2016, vit i cili mund të quhet i suksesshëm për sportin tonë.
1. KOSOVA NË RIO!
Për herë të parë në histori, Kosova ishte pjesë e një Olimpiade! E pritëm deri në mëngjes atë parakalimin e famshëm të sportistëve të Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike dhe në fund u shpërblyem, me Majlindën që u rikthye me medalje të artë.
2. MAJL1NDA
Padyshim që momenti më i bukur për shtetin e Kosovës në vitin 2016 ishte momenti kur Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Rios dhe atë në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në një Olimpiadë si shtet, kur dihet që shumë shtete garojnë tash e sa vite në Olimpiada dhe asnjëherë nuk janë rikthyer me medalje të artë. Majlinda dëshmoi karakter, pjekuri, gjakftohësi e shpirt kampioni, duke bërë që flamuri i Kosovës të ngritet lart në sytë e botës dhe duke bërë që himni i Kosovës të dëgjohet botërisht!
3.Pranimi në UEFA & FIFA
Puna shumëvjeçare e Federatës së Futbollit të Kosovës u kurorëzua në majin e vitit 2016. Kosova edhe zyrtarisht u pranua në shtëpitë evropiane dhe botërore të futbollit pas shumë përpjekjeve, duke u barazuar me shtetet e tjera të botës së zhvilluar, për të garuar me to si në nivelin e klubeve, ashtu edhe në nivelin e përfaqësueses. Ky pranim nënkupton që Kosova tashmë garon në kualifikime për kampionatet e ndryshme evropiane e botërore, klubet e Kosovës luajnë në kualifikime për gara ndërkombëtare dhe lojtarët e Kosovës mund të transferohen në Evropë në të njëjtën mënyrë siç transferohen ‘yjet’ nga një ligë në tjetrën nëpër Evropë e Botë!
4.Kosova shënon golin e parë dhe merr pikën e parë në kualifikime!
Pas pranimit në UEFA e FIFA në muajin maj, Kosova menjëherë u bë pjesë e një grupi kualifikues për Botërorin e Rusisë 2018. Në ndeshjen e parë zyrtare, e cila u luajt ndaj Finlandës në Turku, Kosova nuk zhgënjeu, duke dhuruar paraqitje fantastike, me lojë sulmuese dhe duke treguar që ky grup, kjo skuadër, premton shumë! Për më tepër, Kosova shënoi gol dhe u kthye me pikë nga Turku! Golin e parë dhe historik në kualifikime për Kosovën e shënoi Valon Berisha (që la Norvegjinë për Kosovën) nga penalltia, për të barazuar 1-1.
5. Feniksi – skuadra e 13 më e mirë në Evropë
Kur përmendim sukseset e vitit 2016, vend të rëndësishëm padyshim që zë edhe Feniksi. Klubi i futsallit nga Drenasi shkroi historinë, duke arritur që të kualifikohet në ‘Futsal Elite Round’ në mesin e 16 skuadrave më të mira në Evropë. Më pas, Feniksi u eliminua, mirëpo e mbylli vitin si skuadra e 13 më e mire në Evropë, një sukses historik dhe vështirë i arritshëm. Trajneri Beni Simitçiu është njeri ndër më meritorët për suksesin e kësaj skuadre.
6. Kosova merr pjesë në kualifikime për Eurobasket
Edhe pse e mbyllën aventurën me 6 humbje nga 6 ndeshjet e luajtura, arritja që ta shohim Kosovën në kualifikime për Eurobasket është historike. Kosova u ndesh me përfaqësuese me përvojë të madhe në gara të tilla dhe marrë parasysh faktin që në një sport kolektiv e taktik si basketbolli duhet kohë për komponim, paraqitja e tillë e Kosovës debutuese ishte e pritshme. Gjithsesi, ka shpresë për kualifikimet në kampionatet e tjera evropiane e botërore në basketboll.
7. Përfaqësuesja e Kosovës U18 me medalje të bronztë në Divizionin C
Basketbolli kosovar shënoi një sukses sa i përket grupmoshave të reja. Përfaqësuesja e Kosovës U18 e morri vendin e tretë në Divizionin C të kampionatit evropian. Djelmoshat nga Kosova e mposhtën skuadrën e San Marinos në ndeshjen për vendin e tretë, për t’u kthyer kështu me medalje të bronzta në Kosovë dhe për të siguruar pjesëmarrje në Divizionin B në kampionatin e ardhshëm.
8. Sigal Prishtina fiton Ligën Ballkanike
Për të dytin vit radhazi, Sigal Prishtina u shpall kampione e Ligës Ballkanike. Skuadra kryeqytetase tregoi që Kosova ka basketboll dhe me punë e përkushtim, përmirësim edhe më i madh pritet në vitet në vijim.
9. Distria e Akili – Kosova e fortë në xhudo!
Përveç Majlinda Kelmendit e Nora Gjakovës që tashmë njihen nga të gjithë, Kosova vazhdon punën e mire në xhudo edhe me kategoritë e reja. Në muajin nëntor, Distria Krasniqi u shpall kampione e Evropës në xhudo nën moshën 23-vjeçare në kampionatin evropian që u mbajt në Tel Aviv të Izraelit. Në të njëjtin kampionat, me medalje të bronztë e mbylli edhe Akil Gjakova, i cili gjithashtu shihet si një xhudist premtues për të ardhmen.
10. Kosova merr pikën e parë historike në hendboll
Për herë të parë që nga pranimi në EHF e IHF, Kosova në nëntor të vitit 2016 e morri pikën e parë zyrtare në ndeshjen e luajtur ndaj Turqisë. Takimi u mbyll me rezultat 24-24, ndërsa kjo ndeshje ishte e vlefshme për parakualifikimet për Europianin e Hendbollit 2020.