ANFIELD ROAD
Nutricistja e Liverpoolit, ‘arma’ e fshehtë e Kloppit
28 December, 2016 @10:19
Siç duket ndryshimi i formës sivjet për dallim nga sezonet e kaluara nuk është i rastësishëm tek Liverpooli. Përveç punës në aspektin teknik, duket se gjermani Klopp ka goditur në shenjë edhe në fushat e tjera të zhvillimit sportiv.
Në një artikull të publikuar nga New York Times, thuhet që ‘arma’ e fshehtë e Kloppit është nutricistja gjermane, Mona Nemmer, e cila ka 6 muaj që punon tek klubi nga ‘Anfield Road’.
“Ajo përgatit ushqime të ndryshme dhe lojtarët janë gjithmonë të lumtur. Ndikimi i saj ishte i menjëhershëm dhe reagimi pozitiv i lojtarëve ishte i dukshëm.” - deklaroi Jurgen Klopp kur u pyet nga mediat në lidhje me punën e nutricistes 32-vjeçare.
Nemmer tek Liverpooli kishte ardhur nga klubi i Bayernit, ndërsa kur u pyet se a ka rol ushqimi i saj në suksesin e skuadrës, ajo u tregua tejet modeste, duke deklaruar që pjesa e saj nuk është aq vendimtare në lojën e mirë të skuadrës dhe rezultateve pozitive.
Me Kloppin që deklaroi që Liverpooli ka goditur në shenjë sa i përket nutricistes, i lumtur dukej edhe Adam Lallana, i cili deklaroi që Nemmer është bërë sikur “nëna e lojtarëve’, duke gatuar ushqime të lloj-llojshme për futbollistët e 18 herë kampionit anglez.