GJAKOVË
Tre përforcime shtesë te Vëllaznimi
24 July, 2023 @12:54
Vëllaznimi derisa po vazhdon përgatitjet për stinorin e ri në Ligën e Parë — Grupi A, klubi po njofton për përforcime të reja. Kuqezinjtë e Gjakovës gjatë fundjavës kanë bërë të ditur se kanë angazhuar edhe tre lojtarë të rinj në ekip.
Njëri është mesfushor kreativ, ndërsa dy të tjerët që janë zyrtarizuar te Vëllaznimi janë sulmues. Dy prej lojtarëve vinë nga A&N që u shndërrua në Suhareka këtë verë, ndërsa tjetri vjen prej ekipit KF Dardanët që garon në Ligë të Dytë të Kosovës.
Caner Gzimi është mesfushori që ka nënshkruar me Vëllaznimin për edicionin e ri të garave, 2023/24. Ndërsa në sulm janë shtuar Benjamin Ukaj prej Dardanëve, kurse nigeriani Effiong Ekemini Eyoh vjen prej A&N.
Megzon Visoka trajner, tash duket të ketë lojtarë të bollshëm për të eksperimentuar edhe rreth një muaj para fillimit të stinorit të ri — derisa Vëllaznimi i riorganizuar është fuzionuar gjatë verës me KF Drenasin dhe kështu i ka shpëtuar rënies nga Liga e Parë.
E me ekipin e ri në dispozicion, Vëllaznimi pritet të jetë ndër pretendentët që nga Liga e Parë — Grupi A të kërkojë Superligën për edicionin tjetër të garave.◼️