ANGLIA - KOSOVA
Kosova e madhe edhe në disfatë
10 September, 2019 @22:40
Një ndeshje që filloi në një mënyrë që as nuk e kishim menduar, një gol i Valon Berishës që në sekondën e 35’ pas një gabimi të mbrojtjes angleze, u mbyll me fitore të thellë të anglezëve, të cilët reaguan pothuajse menjëherë pas golit të pësuar.
Ishte Sterling që barazoi me kokë (8’), e më pas anglezët e gjetën edhe katër herë golin në pjesën e parë (Kane, Vojvoda (AG) dhe Sancho 2x), për të shkuar kështu në pushim me epërsi të thellë 5-1.
E pjesa e dytë filloi mirë për Kosovën. Pas një pasimi maestral nga Vedat Muriqi, rrjetën e gjeti përsëri Valon Berisha (49’), për “t’i dhënë pak zemër Kosovës”, e pesë minutë më pas ishte Muriqi që e ngushtoi epërsinë në 5-3. Muriqi e realizoi penalltinë e fituar vetë, për t’ia dhënë edhe një shtytje Kosovës.
Drama vazhdoi edhe në minutat në vazhdim! Një penallti e fituar nga Barkley, nuk u konkretizua në gol nga Harry Kane (64’), goditja e të cilit u prit mjeshtërisht nga Aro Muriç, për ta mbajtur Kosovën edhe më tutje në lojë, me ndeshjen që nuk dukej në asnjë moment e mbyllur.
Megjithatë, drama përfundoi me penalltinë e shpërdoruar nga vendasit dhe në pjesën tjetër të ndeshjes gola më nuk pati, duke bërë që ndeshja rrjedhimisht të mbyllet me rezultatin përfundimtar 5-3, rezultat që shpreh qartë se çfarë ndeshje fantastike shijuam.
Kështu, seria prej 15 ndeshjeve pa humbjeve e Kosovës përfundon këtu, mirëpo djemtë e drejtuar nga Challandes, përkundër mungesave në formacionin bazë, treguan paraqitje dinjitoze, duke ia shënuar Anglisë plot 3 gola në një ndeshje zyrtare, gjë që nuk i kishte ndodhur anglezëve në ndeshje zyrtare që nga nëntori i vitit 2007.
Lajm i keq për Kosovën është fitorja e Çekisë në Mal të Zi sonte, fitore e cila e zbret Kosovën në vendin e tretë në grup, mirëpo me shpresën për Evropian ende gjallë, qoftë përmes grupit kualifikues, qoftë përmes Ligës së Kombeve.