NË PLAN: STADIUMI I RI I PRISHTINËS!
Kreu i Prishtinës dhe i FFK-së bisedojnë për stadiumin e ri, deri në 25 mijë ulëse
18 July, 2023 @10:47
Po planifikohet ndërtimi i stadiumit të ri në Prishtinë, ndërsa ai do të ketë kapacitet prej 25 mijë ulëseve. Plani është që në atë stadium pos ndeshjeve të futbollit, të mbahen edhe koncerte dhe ngjarje të ndryshme, ndërsa do të bëhet sipas kritereve të UEFA-së.
Këtë e ka bërë të ditur FFK në njoftimin e lëshuar mbrëmë, ndërsa kreu i Prishtinës Përparim Rama dhe ai i FFK-së Agim Ademi kanë biseduar për planin dhe në fund të njoftimit u shkrua se urojnë që plani të realizohet sa më shpejt.
“Projekti do të mbështetet në bashkëpunimin midis Komunës së Prishtinës dhe FFK-së. Stadiumi i ri pritet të ketë një kapacitet prej rreth 25.000 ulësesh dhe do të plotësojë kërkesat e publikut të kryeqytetit dhe të gjithë Kosovës. Presidenti Ademi dhe ekipi i tij u shprehën të kënaqur me takimin dhe diskutimet e zhvilluara me kryetarin Rama dhe uruan që ky projekt të realizohet sa më shpejtë.” — shkroi FFK-ja.
Rama ka premtuar se do të angazhohet për të rregulluar dhe përmirësuar gjendjen e “Fadil Vokrrit”, ndërsa shpejt do të shpallet edhe konkursi për të projektuar stadiumin.
“Nga ana e tij kryetari i kryeqytetit premtoi se do të angazhohet për të rregulluar dhe përmirësuar gjendjen e stadiumit “Fadil Vokrri”. Ai gjithashtu njoftoi se ditëve në vazhdim do të shpallet konkursi i kompanive projektuese për ta përzgjedhur projektin më të mirë për stadiumin e ri i cili do të ndërtohet në Prishtinë dhe do të jetë në shfrytëzim të plotë nga FFK-ja me ekipet Kombëtare si dhe për ngjarje tjera të kryeqytetit. Ky stadium do të përmbushë standartet e UEFA-s dhe FIFA-s dhe do të shërbejë për ndeshjet zyrtare të garave kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare.” — bëhet e ditur në njoftim.
“Fadil Vokrri” në anën tjetër ku aktualisht gjendja e fushës është aspak e mirë dhe ka pasur kritika të mëdha për gjendjen e saj, nuk po mund të menaxhohet si duhet. Stadiumi në fjalë është në pronësi të Komunës së Prishtinës dhe menaxhohet nga FFK-ja. Gjatë qershorit, edhe kapiteni i kombëtares së Kosovës Amir Rrahmani, pas barazimit në kualifikime për EURO 2024 ndaj Rumanisë, kishte deklaruar se është vështirë të luhet në një fushë të tillë, që ndikon edhe në paraqitje, por edhe në rezultat.◼️ FotoCredits