2020
Kosova në 2020!
Shkruan: G.P
31 December, 2020 @12:00
Për të pestin vit me radhë, TopSporti.com në fund të vitit bën një përmbledhje të ngjarjeve kryesore sportive të vitit përkatës në Kosovë.
Viti 2020, viti i pandemisë, nuk e la sportin të frymojë lirshëm as në vendin tonë, mirëpo sukseset dhe ngjarjet për t’u mbajtur mend nuk munguan as këtë vit.
Le të shohim disa nga ngjarjet kryesore të vitit 2020 në sportin e Kosovës.
1. Drita, kampione e Kosovës në futboll
Për dallim nga ajo e basketbollit, Superliga e Kosovës në futboll u luajt deri në fund dhe kampione e Kosovës për sezonin 2019/2020 u shpall Drita nga Gjilani. Sezoni në përgjithësi ishte mjaft interesant, me rivalitet deri në xhirot e fundit, e krejt në fund titullin e festuan gjilanasit.
2. Egzon Shala siguron Olimpiadën e Tokyos
Viti 2020 ishte i suksesshëm për mundësin Egzon Shala. Pas suksesit në Botërorin e Kazakistanit dhe pasi njëri prej mundësve të renditur para tij u dënua për doping, Shala arriti ta sigurojë një vend në Olimpiadën e Tokyos. Kjo Olimpiadë fillimisht ishte paraparë të mbahej në vitin 2020, por për shkak të pandemisë është shtyrë për vitin 2021. Egzon Shala do të garojë në kategorinë më të lartë të mundjes, atë deri në 125 kilogramë.
3. Transferet e bujshme: Rrahmani dhe Muriqi te gjigandët e Serie A-së
Dy nga transferet më të bujshme sa i përket futbollistëve të Kosovës në vitin 2020 ishin ato të Amir Rrahmanit dhe Vedat Muriqit. Amir Rrahmani u transferua nga Verona te Napoli, kurse Vedat Muriqi nga Fenerbahce te Lazio. Ndonëse asnjëri prej këtyre dy lojtarëve ende nuk ka treguar shumë te skuadra e re, transferimet e tyre ishin mjaft të bujshme.
4. Drita në rrethin e tretë të Europa League, historike për Kosovën
Kampionja e Kosovës në futboll, Drita, pasi u shpall kampione, shkroi historinë në garat evropiane, duke u bërë klubi i parë nga Kosova që arrin rrethin e tretë të Europa League. Aty më pas Drita u eliminua nga Legia e Varshavës.
Përveç Dritës, në garat evropiane gjatë vitit 2020 Kosovën e përfaqësuan edhe Gjilani e Prishtina.
5. Klubi i futsallit Prishtina, në Champions League ndaj Barcelonës
Viti 2020 ishte shumë i sukesshëm për klubin e futsallit Prishtina. Ky klub arriti të shpallet kampion i Kosovës, ndërsa me përfaqësim të denjë në gara evropiane, arriti që nga UEFA të zgjedhet klubi i 28-të më i mirë në Evropë. Për më tepër, ky klub e arriti fazën e dytë në Champions Leaguen e futsallit, ku shorti vendosi që të përballet me Barcelonën, kampionin në fuqi të Spanjës dhe gjigandin evropian të futsallit.
Prishtina me Barcelonën do të ndeshet më 15 janar 2021.
6. Besa dhe Prishtina, në garat evropiane të hendbollit
Besa dhe Prishtina gjatë vitit 2020 e përfaqësuan mjaft mirë Kosovën në garat evropiane të hendbollit.
Pasi e kishte eliminuar skuadrën Bosna Visoko në kuadër të 1/32 së finales, Besa për një gol u eliminua nga Boraci, kurse Prishtina u eliminua nga skuadra e AEK-ut. Para AEK-ut, Prishtina e eliminoi pa lojë skuadrën bullgare Dobrudja, pasi kjo e fundit nuk arriti t’i zhvillojë ndeshjet për shkak të pandemisë.
7. Superliga e basketbollit pa kampion, sezoni i ndërprerë
Sezoni 2019/2020 i Superligës u ndërpre për shkak të pandemisë dhe nuk vazhdoi më, duke bërë që kampion për këtë sezon të mos jetë asnjë skuadër. E njëjta gjë ndodhi te të gjitha kategoritë e basketbollit kosovar.
8. Përfaqësuesja e futbollit, vit për t’u lënë pas
Një vit jo edhe aq i mirë për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Nga 9 ndeshjet e luajtura përgjatë vitit 2020, Kosova shënoi vetëm 1 fitore, ndërkohë që u eliminua nga Maqedonia Veriore në gjysmëfinale të Play Off-it të Ligës së Kombeve dhe rrjedhimisht e humbi mundësinë për ta luajtur finalen, që dhuronte një biletë për Kampionat Evropian.
9. Sporti i xhudos, përsëri sporti më i suksesshëm i Kosovës
Si zakonisht, edhe në vitin 2020 sporti i xhudos ishte sporti më i suksesshëm i Kosovës. Këtë vit shkëlqeu më së shumti Distria Krasniqi, e cila arriti ta mbyllë vitin 2020 e para në renditjen botërore të xhudos në kategorinë deri në 48 kilogramë. Ndër të tjera, Distria gjatë vitit 2020 fitoi edhe medalje të bronztë evropiane.
Përveç Distrias, medalje të bronztë evropiane fitoi edhe Loriana Kuka, kurse dy medalje në kampionatet evropiane të të rinjve i fitoi Laura Fazliu.
Gjithashtu, duhet përmendur që gjatë vitit 2020 falë Driton Kukës në Pejë këtë vit u mbajt një kamp ndërkombëtar me emra të njohur të xhudos, ndërkohë që për shkak të pandemisë nuk u zhvilluan shumë gara në këtë sport gjatë këtij viti.
10. FIBA ia beson Kosovës ndeshjet e fundit para-kualifikuese drejt Botërorit
Në dhjetor të vitit 2020, FIBA vendosi që t’ia besojë Kosovës organizimin e ndeshjeve të fundit parakualifikuese drejt Botërorit të vitit 2023, ndeshje në të cilat në Prishtinë do të luajnë Kosova, Islanda, Luksemburgu dhe Sllovakia.
Përfaqësuesja seniore e Kosovës te meshkujt në basketboll në katër ndeshjet e zhvilluara në Grupin B ka dy fitore dhe dy humbje, aq sa ka edhe Sllovakia, derisa Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, kurse Luksemburgu ka një fitore dhe tri humbje.
Nëse “Dardanët” shënojnë dy fitore në Prishtinë, do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm, që do të ishte një sukses për basketbollin e Kosovës.