Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VIKTORIA PLZEN - DRITA

Smakiqi heroik, Drita kthehet me shpresa nga Çekia

Foto: FCDrita/ fb

Smakiqi heroik, Drita kthehet me shpresa nga Çekia


Teksti: FFK

28 July, 2023 @10:20

Skuadra nënkampione e Kosovës, FC Drita ka arritur t’i rezistojë skuadrës së njohur çeke, Viktoria Plzen, duke marrë një barazim pa gola (0:0), si mysafire, në ndeshjen e parë në kuadër të rrethit të dytë në Ligën e Konferencës. Për Dritën kjo ishte paraqitja e parë në këtë edicion të garave evropiane. Skuadra çeke ishte dominuese gjatë tërë ndeshjes, por nuk arriti të gjejë rrugën e golit, kjo edhe për meritë të paraqitjes së shkëlqyeshme të lojtarëve të Dritës në repartin e mbrojtjes, e sidomos pritjeve të Florian Smakiqit. Ndonëse Viktoria pati shumë raste shënimi, prej të cilave dy herë qëlloi tërthorësen e portës së Smakiqit, Drita megjithatë ka mundur të kthehet nga kjo ndeshje triumfuese, sikurse Albert Dabiqaj të tregohej më i vëmendshëm në minutën e 86-të, kur pas asistimit të Muharrem Jasharit doli i vetëm me portierin e vendasve, por gjuajti afër shtyllës. Ndërkaq në pjesën e parë portieri Stanek bëri ndërhyrje jashtë zonës ndaj Ardit Tahirit, por gjyqtari armen e fali, duke mos e ndëshkuar me karton të kuq. Do theksuar se Viktoria Plzen edicionin e kaluar luajti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve me Interin, Barcelonën dhe Bayern Munichun. Ndeshja e kthimit zhvillohet më 3 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri”.


 
Të gjitha lajmet nga Conference League