2021
Kosova në 2021!
Shkruan: G.P
28 December, 2021 @10:00
Si zakonisht, edhe këtë fundvit TopSporti ka bërë përmbledhjen me ngjarjet kryesore të sportit në Kosovë gjatë vitit kalendarik që po e lëmë pas.
1. Tokyo 2020, vajzat e Kosovës fitojnë dy medalje të arta
Lojërat Olimpike të Tokyos, të zhvilluara një vit me vonesë për shkak të pandemisë, ishin mjaft të suksesshme për Kosovën. Sportistët e Kosovës nga Tokyo u kthyen me dy medalje të arta.
Të drejtuara nga trajneri Driton Kuka, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medalje të arta në Tokyo, për ta çuar numrin e medaljeve të arta të Kosovës në Lojëra Olimpike në 3. Medalja tjetër ishte fituar gjithashtu nga një xhudiste, nga Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike të Rios 2016.
Më 24 korrik 2021, Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë, e më 26 korrik të artën e fitoi Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë!
Vajzat e Kosovës!
2. Driton Kuka, trajneri më i mirë në Botë për vitin 2021
Në dhjetor të vitit 2021, Driton Kuka u shpall zyrtarisht nga IJF (International Judo Federation) si trajneri më i mirë në Botë në sportin e xhudos.
Dy medaljet e arta në Tokyo dhe çmimet e tjera të shumta të Kukës bashkë me ekipin e tij bënë që ai me plot meritë ta fitojë këtë çmim, duke lënë pas vetes në garë emra shumë të njohur të trajnerëve të xhudos.
Gjithashtu, më herët gjatë vitit, trajneri pejan ishte ftuar nga Federata Botërore e Xhudos që të jetë pjesë e grupit që vendos për rregullat e xhudos. Grupi në fjalë përbehet nga ekspertët më të mëdhenjë të botës së xhudos.
3. Prishtina shpallet kampione pas 8 viteve
Për herë të parë që nga sezoni 2012/2013, Prishtina u shpall kampione e Kosovës në futboll.
E drejtuar nga Zekerija Ramadani, skuadra kryeqytetase në fund të sezonit 2020/2021 e fitoi titullin e saj të 11 në histori të klubit.
Ky ishte titulli i vetëm i këtij viti kalendarik për Prishtinën, pasi që edhe Kupën e Kosovës e edhe Superkupën, i fitoi Llapi i Tahir Batatinës.
4. Tri skuadra kosovare në Evropë, Drita barazon me Feyenoordin
Për herë të parë në histori të sportit kosovar, tri skuadra kosovare luajtën në garat evropiane gjatë sezonit 2021/2022. Kampionja e Kosovës, Prishtina, nënkampionja Drita, si dhe Llapi si fitues i Kupës, e përfaqësuan Kosovën në Evropë.
Prishtina e filloi aventurën e saj në Champions League, prej ku u eliminua Ferencvarosi, e më pas e vazhdoi aventurën në UEFA Conference League. Aty Prishtina fillimisht e eliminoi skuadrën uellsiane Connahs.Q, e pastaj u eliminua nga norvegjezët e Bodo/Glimt. Skuadrën norvegjeze Prishtina e mposhti 2-1 në Kosovë, por pastaj u mposht 2-0 në Norvegji dhe rrjedhimisht u eliminua.
Paraqitje fantastike dhe për t’u mbajtur mend gjatë në garat evropiane pati Drita nga Gjilani. Nënkampionja e Kosovës fillimisht e eliminoi skuadrën malazeze Decic në duelin e saj të parë në UEFA Conference League, e në rrethin tjetër Drita u eliminua nga Feyenoordi holandez. Por, gjilanasit treguan paraqitje historike në të dyja përballjet ndaj gjigandit holandez. Ndeshja e parë në Kosovë përfundoi pa gola, rezultat fantastik, e në Holandë Drita u mposht 3-2. Kujtojmë që në takimin kthyes në Holandë gjilanasit shpërdoruan plot raste tejet të mira para portës holandeze.
Skuadra e tretë kosovare që mori pjesë në garat evropiane ishte Llapi. Skuadra podujevase në duelin e saj të parë u eliminua nga Shkupi. Ndeshja e luajtur në Shkup përfundoi 2-0 për vendasit, e në Prishtinë skuadrat barazuan 1-1.
5. KB Ylli, kampion i Kosovës për herë të parë
Për herë të parë në histori të klubit, Ylli nga Suhareka u shpall kampion i Kosovës në basketboll (2020/2021).
Skuadra suharekase e drejtuar nga Adis Beciragic, në finale e mposhti Pejën, për ta fituar kështu titullin e parë kampion në histori të klubit.
Përgjatë vitit 2021 Ylli u shpall kampion edhe në edicionin e parë të Ligës Unike, duke e mbyllur kështu vitin 2021 në mënyrë të shkëlqyeshme.
6. Themelimi i Ligës Unike, edicioni i parë
Gjatë vitit kalendarik 2021, për herë të parë në basketbollin shqiptar filloi Liga Unike, ligë e krijuar nga skuadrat më të mira të basketbollit në Kosovë dhe Shqipëri.
Në edicionin e saj të parë, në Ligën Unike morën pjesë Tirana, Vllaznia, Teuta, Goga Basket, Prishtina, Peja, Rahoveci dhe Ylli.
Kampion në edicionin e parë u shpall Ylli, që në finale triumfoi ndaj Pejës.
7. Shkarkimi i Bernard Challandes, tetor 2021
Më 13 tetor 2021, nga roli i kryetrajnerit të përfaqësueses së Kosovës në futboll u shkarkua zvicrani Bernard Challandes. Aventura e tij te Kosova filloi në mars të vitit 2018 e vazhdoi deri në tetor të vitit 2021.
Përkundër rezultateve të dobëta në vitin e fundit, në përgjithësi puna që Challandes bëri si drejtues i Kosovës ishte mjaft e mirë. Kosova tregoi paraqitje mjaft të mira në edicionin e parë të Ligës së Kombeve nën drejtimin e Challandes, u ngjit në Ligën C, ndërkohë që iu afrua edhe ëndrrës për EURO2020, por për fat të keq në Play Off u mposht nga Maqedonia Veriore.
BILANCI I KOSOVËS NË VITIN 2021
Merci, Challandes!
8. Majlinda Kelmendi largohet nga xhudoja aktive
Më 6 dhjetor 2021, Majlinda Kelmendi zyrtarisht u u largua nga sporti aktiv.
Xhudistja më e madhe në histori të Kosovës dhe ikona e sportit kosovar viteve të fundit, karrierën e saj si xhudiste aktive e mbylli në moshën 30-vjeçare
Një medalje olimpike, dy herë kampione e Botës, katër herë kampione e Evropës, 7 Grand Slams, 10 Grand Prixes - e shumë e shumë çmime të tjera e tregojnë më së miri se sa e madhe është Majl1nda Kelmendi.
9. VAR-i në futbollin kosovar
Një arritje e futbollit të Kosovës gjatë viti 2021 mund të llogaritet sjellja e sistemit VAR në Kosovë.
Sezoni 2021/2022 në Superligën e Kosovës në futboll filloi me praninë e sistemit VAR, gjë që ka ndikuar në reduktimin e gabimeve të gjyqtarëve në ndeshjet e Superligës.
10. Besa arrin raundin e tretë në European Handball Cup
Skuadra kampione e Kosovës në hendboll, Besa nga Peja, edhe këtë vit zhvilloi paraqitje të mira në garat evropiane.
Besa arriti deri në raundin e tretë të EHP Cup këtë vit.
Skuadra pejane fillimisht shkëlqeu duke e mposhtur skuadrën boshnjake Bosna Visoko, më pas e eliminoi pas dy ndeshjeve Boracin e Banja Llukës, e në fund u eliminua nga skuadra rumune Potaissa Turda, një skuadër me mjaft përvojë në hendbollin evropian.
11. Kosova Open 2021, turneu i nivelit ITF mbahet në Pejë
Për herë të parë në Kosovë, këtë vit në Pejë u mbajt një turne i nivelit ITF.
Mes datave 5 dhe 12 shtator 2021, në qytetin e Pejës u mbajt turneu Kosova Open 2021, ku morën pjesë teniserë nga e gjithë bota.
Pjesëmarrësit në këtë turne ishin të grupmoshave të reja, ndërkohë që u zhvilluan duele në 4 kategori: vajzat single, vajzat double, djemtë single dhe djemtë double.
12. FC Liqeni, kampion i futsallit dhe përfaqësues në garat evropiane
FC Liqeni nga Drenasi u shpall kampion i Kosovës në futsall për sezonin 2020/2021.
Pas titullit të fituar, skuadra nga Drenasi e përfaqësoi Kosovën në garat evropiane.
Fillimisht kjo skuadër e kaloi grupin paraeliminar të Champions League, duke përfunduar në grup para skuadrave Weilimdorf (Gjermani), Helvecia (Angli) e Tavsancali (Turqi), e më pas Liqeni u eliminua në Main Round të Champions League. Në Grupin 6 të Main Round, Liqeni përfundoi prapa skuadrave Uragan (Ukrainë) dhe Araz (Azerbajxhan), ndërkohë që pas vetes la skuadrën United Galati (Rumani).