Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

OPINION

Euroliga… fluturon drejt Kaunasit

Ilustrimet: euroleague.net

Euroliga… fluturon drejt Kaunasit


Shkruan: Blerim Myftiu

14 May, 2023 @15:00

Të martën e 9 majit luhej në Madrid ndeshja e parë e gjysmëfinales së Ligës futbollistike të kampionëve ndërmjet Realit dhe Manchester Cityt, por unë isha ngujuar para ekranit me pamje në Athinë ku Olympiacosi dhe Fenerbahçeja luanin ndeshjen e pestë vendimtare të serisë çerekfinale të Ligës basketbollistike të kampionëve (Euroligës), duke dhënë një spektakël rrëqethës në fushë, mbështetur nga 12 mijë tifozë të zjarrtë grekë dhe aty-këtu ndonjë turk (jopublik, në vete) në Pallatin e Paqes dhe të Miqësisë.

Dy javë më parë, Fenerbahçeja kishte arritur ta fitonte njërën ndeshje në Athinë duke e marrë avantazhin e terrenit nga rivali grek. Mirëpo vetëm pas një jave, që në ndeshjen e radhës, kuqebardhtë e Athinës e rikthyen këtë avantazh – madje, fati deshi që i adhuruari i publikut stambollas, lojtari shumëvjeçar i brezit të artë të Fenerit, Kostas Sloukas, të shënonte një treshe në sekondën e fundit dhe të vraponte me sprint drejt zhveshtores, qoftë nga frika se ndonjë monedhë e devalvuar turke do ta godiste në kokë (më shumë nga kjo), qoftë nga padurimi i të shikuarit në sy mijëra fryma të cilët i kishte gëzuar në një kohë tjetër.

Euroleague Final Four

Në duelin e dy grekëve në stol (Bartzokas dhe Itoudis), ndeshja e pestë filloi baras dhe deri nga fundi i çerekut të dytë, epërsitë shpesh ndërronin anë. Mirëpo, rrufeja e minutave të fundit, seria 15:0, e udhëhequr nga Sloukasi dhe MacKissicu, ndihmuar nga Petersi dhe Blacku, ishte më se e mjaftueshme për qetësinë e pjesës së dytë. Trajneri i Sacramentos, Mike Brown, ishte në mesin e spektatorëve dhe arsyeja e ardhjes së tij ishte Sasha Vezenkov, i cili sivjet shkëlqen në Euroligë dhe pas Sloukasit me 22 pikë, shtoi 17 të tjera në ndeshjen e pestë çerekfinale.

Të mërkurën e 10 majit në San Siro (ngase Milani ishte nikoqir), luhej derbi milanez në kuadër të gjysmëfinales së dytë të Ligës së kampionëve në futboll. Por sërish, në terrenet basketbollistike kishte ngjarje shumë më interesante, që për mua ishin arsyeja sërish që ta anashkaloja futbollin. Në Madrid, ose Reali do të bëhej ekipi i parë i cili do ta arrinte ta kthente serinë nga 0:2 në 3:2, ose Partizani do të bëhej ekipi i parë mysafir që do ta fitonte ndeshjen e pestë vendimtare, duke eliminuar kësisoj ekipin më mirë të ranguar në pjesën normale të stinorit. Mjeshtri, Željko Obradović, në stolin e Partizanit me 20 seri playoffi të fituar nga 21 gjithsej, ishte arma kryesore që bënte të mendohej se mysafirët mbase do të ngadhënjenin; aq më shumë kur në stolin e Realit ishte sezoni i parë i “brucoshit” Chus Mateo.

Befasia më e madhe e stinorit, Partizani, formën në ngritje që kishte filluar nga janari dhe ishte kurorëzuar me vendin e gjashtë në tabelë, e vazhdoi edhe në dy ndeshjet e para të luajtura në Madrid, duke e mposhtur klubin mbretëror në të dyja. Kësisoj, Obradovići e përsëriti suksesin që e kishte arritur me Fenerbahçen, pikërisht përballë Realit (të fitonte dy ndeshjet e para si mysafir). Mirëpo, incidenti në fundin e ndeshjes së dytë duket se ia vuri damkën serisë. Ngase mungesa e Kevin Punterit në ndeshjen e tretë dhe të katërt, si edhe e Matthias Lessortit në ndeshjen e tretë, tregoi se sa të rëndësishëm janë këta dy lojtarë në hierarkinë e lojës së klubit beogradas.
Dhe, Sergio Llull, i cili u bë shkak i kacafytjes duke shkaktuar një faul të ashpër ndaj Punterit, por vetë shpëtoi pa suspendim, u bë protagonisti kryesor i ndeshjes së pestë në Madrid. Partizani në fillim të çerekut të tretë krijoi epërsinë maksimale prej 18 pikët (41:59). Me shokët e shkollës së vjetër, Sergio Rodríguezin 37-vjeç dhe Rudi Fernándezin 38-vjeç, Llulli 36-vjeç komanduan çerekun e tretë të Realit i cili shënoi 30 pikë dhe me dy treshe kritike në çerekun e katërt arritën ta përmbysin rezultatin duke shkaktuar njërin prej rikthimeve më sensacionale në historinë e playoffave të Euroligës.

Euroleague Final Four

Kësisoj në Kaunas, javën që vjen (19 maj) do ta kemi el classicon basketbollistik ndërmjet Realit dhe Barcelonës, e cila e pati serinë më të lehtë dhe të vetme që përfundoi me vetëm tri ndeshje – duke e mposhtur nikoqirin e turneut përfundimtar, Žalgirisin. Barcelona duket ekip dukshëm më i kompletuar dhe me rotacion më cilësor në çdo pozitë. Pozitat fundore me Jokubaitisin, Higginsin, Laprovittolan duken më cilësore dhe më të gjera në opsione se sa treshja e lartpërmendur që realisht nuk ka shumë minuta, por më shumë bazohet në shpërthime çasti (siç ishte ai i të mërkurës mbrëma), apo se Hanga, Williams-Gos apo edhe Causeuri i cili nuk ngjan me atë të vjetrin. Pozita e alove dhe e qendrës së ulët duket më e baraspeshuar, marrë parasysh se Musa dhe Hezonja të madridasve janë të përafërt për nga efikasiteti me Mirotićin dhe Kalinićin. Reali vuan nën kosh. Përveç gjigantit Tavares që teknikisht lë për të dëshiruar, Poirier kohëve të fundit nuk luan për shkak të lëndimit, Randolph ka filluar të bëjë plane pensionimi, kurse Yabusele pas aktit të mundjes është suspenduar për 5 ndeshje dhe nuk do të mund të ndihmojë në Final-four. Kështu që Veselý, Şanlı, ndihmuar edhe nga Mirotići që shpesh kalon në pozitën numër 5, duket se do të kenë mbizotërim trapezi.

Befasia e Final-fourit, ekipi princëror i Monakos, i udhëhequr nga një tjetër Obradović (Saša), do të ketë punë shumë më të vështirë përballë Olympiacosit. Monaco në pjesën e dytë të Euroligës hëngri nga kapitali që gjeneroi nga pjesa e parë kur pat një trend fitoresh dhe arriti ta sigurojë epërsinë e terrenit vendës karshi “krenarisë së Izraelit”, Maccabit. Kandidati për MVP të stinorit, James, është atuja kryesore. Por, në çdo pozitë, athinasit standardë përgjatë tërë stinorit janë favoritë për një finale të re pas 6 vitesh. Sipas të gjitha gjasave, kundër Barcelonës.


 
Të gjitha lajmet nga Euroleague