Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

Finalja e Euroleague: Real Madrid – Anadolu Efes

Foto: THYEuroleague/fb

Finalja e Euroleague: Real Madrid – Anadolu Efes


Shkruan: Blerim MYFTIU

21 May, 2022 @11:23

Dueli i parë për titull

Të shtunën prej orës 19, në Arenën e Beogradit, Real Madridi dhe Anadolu Efesi do ta luajnë finalen e edicionit të sivjetmë të garës më të rëndësishme basketbollistike për klube – atë të Euroligës. Pas një ndeshjeje të ngushtë dhe të paqartë deri në sekondën e fundit, Anadolu Efesi arriti që me treshen e çasteve të fundit të Vasilije Micićit ta mposhtë Olimpiakosin e Athinës me rezultat 77-74 dhe të kualifikohet në finalen e tretë rresht të Euroligës duke siguruar mundësinë e mbrojtjes së titullit të fituar për të parën herë vjet. Kurse në El Classicon e basketbollit, pas rënies 11 pikë prapa Barcelonës, Reali arriti të këndellet në pjesën e dytë dhe ta mposhtë rivalin e përbetuar me 86-83 për t’u kualifikuar në finalen e 19-të në histori, me mundësinë që ta thellojë epërsinë në tituj duke e fituar të njëmbëdhjetin në këtë kompeticion.

Në ndeshjet e këtij stinori, rivalët e finales i fituan ndeshjet në terrenin vendës (Reali në Madrid 82-69, Efesi në Stamboll 93-90). Ndeshja finale është përsëritja e çerekfinales së vitit të kaluar në të cilën në trilerin prej 5 ndeshjesh, Efesi e pati mposhtur Realin për t’u bërë kampione e Evropës më tutje.

Përparësitë dhe mangësitë

Pozitat e ulëta duken të jenë atuja kryesore e ekipit turq. Dyshja më e mirë e Euroligës në pozitat 1 dhe 2, Vasilije Micić dhe Shane Larkin do ta luajnë me gjasë rolin kryesor dhe loja e Efesit do të varet nga ta. Të dy këta, bashkë me Elijah Bryantin, shënuan 52 prej 77 pikëve të Efesit në gjysmëfinalen e të entjes dhe secili prej tyre qëndroi më shumë se 31 minuta në parket. Nga ana tjetër mungesa e Nigel William-Gossit, e ngarkon më tepër veteranët Sergio Llull dhe Rudy Fernández, që në krah të Fabien Causeurit, do të jenë vija kundërvënëse tandemit Micić-Larkin. Përkundër se Micići solli finalen për Efesin me treshen e sekondës së fundit, ai pati një paraqitje jo shumë të mirë në gjysmëfinale duke humbur 3 gjuajtje të lira kritike në minutat e fundit që do të mund ta shmangnin dramën e sekondës së fundit – pati efikasitet 20% për 2 dhe 33% për 3 pikë. 

Përderisa shtatshkurtrit duken pika më e fortë Efesit, shtatlartit e Realit duket se peshojnë më tepër në peshore. Walter Tavares, Vincent Poirier, ndihmuar nga Guerschon Yabusele i cili ishte shumë efikas në gjysmëfinale, duket se kontribuojnë më tepër lojës dhe pikëve se sa Tibor Pleiss, Bryant Dunston dhe Chris Singleton në anën tjetër. Alo qendrat dhe qendrat e lanë në hije të plotë MVP-në e sezonit, Nikola Mirotićin në pjesën e dytë të gjysmëfinales. Tavaresi me 220 centimetrat e tij duket të jetë vështirë i mbrojtshëm dhe Pleiss e Dunston duket se do ta kenë të vështirë përballjen marrë parasysh se këta të dy futen shpesh në telashe me gabime personale.

Efesi medoemos se vuan shumë mungesën e Krunoslav Simonit të lënduar dhe kontributi i Rodrigue Beaubois javëve të fundit nuk ka qenë i kënaqur. Prandaj, rotacioni i Realit duket të jetë pak më i gjerë në këtë drejtim dhe përdorimi i më shumë lojtarëve në mënyrë sa më efikase mund të jetë një përparësi tjetër i mbretërve. Fernández dhe Lulli, përkundër moshës, ende i kanë duart dhe prezencën vendimtare në sulmet e bllokuara të Realit, kështu që janë alternativa të vyeshme, qoftë se futen zakonisht në lojë nga banka e rezervistëve.

Laso vs Ataman

Më të rëndësishmit medoemos se janë trajnerët që lirisht mund të themi se janë më të mirët momentalisht të Euroligës. Pablo Laso është në sezonin e 12-të në krye të Realit dhe gjatë këtyre viteve ka arritur ta fitojë dy herë Euroligën (2015 dhe 2018) nga gjithsej 4 paraqitje. Herën e fundit këtë trofe e ka fituar pikërisht në Beograd, në Final Fourin e 2018-s, duke mposhtur në finale një tjetër ekip turk – Fenerbahçen. Në të dyja rastet është zgjedhur trajneri i vitit në Euroligë, ka fituar 5 herë kampionatin spanjoll, nga 6 herë Kupën dhe Superkupën spanjolle dhe 5 herë është zgjedhur trajner i vitit në Spanjë.

Për rivalin e tij turk Ergin Ataman, kjo është paraqitja e tretë dhe atë rresht në finale – përderisa në 2019 e ka humbur finalen nga CSKA e Moskës, vjet e pati fituar karshi një ekipi tjetër spanjoll, Barcelonës. Prandaj sikur Laso, ka përqindje të përgjysmuar suksesi në finale. Ai është që prej vitit 2017 trajneri i Efesit dhe rishtas është emëruar edhe kryetrajner i kombëtares turke. Ai ka fituar pothuajse çdo kupë në garat evropiane të klubeve. Në 2002 e ka fituar Kupën Saporta me Montepaschi Sienën, në 2012 e ka fituar Kupër Eurochallenge me Beşiktaşin dhe në 2016 EuroCup me Galatasarayin. Përveç 5 titujve kampionë të Turqisë me 3 klube të ndryshme, 6 Kupave dhe 7 Superkupave nacionale, ai ka qenë asistent i Aydın Örsit kur Efes Pilseni u bë klubi i parë turk që ka fituar një trofe evropian – atë të Kupës së Koraçit me 1996.
Kjo do të jetë finalja e gjashtë rresht e Euroligës në të cilën luan një ekip turk, finalja e 19-të e Realit. Spektakli fillon në 19.

 


 
Të gjitha lajmet nga Euroleague