Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOLUMNE

5 për fundjavë!

5 për fundjavë!


Shkruan: G.P

6 May, 2022 @12:00

Edhe tri fundjava deri në fund të sezoneve në ligat përkatëse.

Këtë fundjavë kemi zgjedhur dy ndeshje për të shtunën, dy për të dielën, e një për të hënën mbrëma.

1. Mallorca - Granada (e shtunë, 14:00)

Mallorca e Vedat Muriqit vazhdon mos ta ketë të sigurtë mbijetesën në La Liga dhe këtë javë luan ndaj një prej rivalëve direkt për mbijetesë, Granadën.

Kjo e fundit jo shumë kohë më parë luante në nivele të larta të Europa Ligës, e tash e sheh veten shumë pranë rënies.

Vedat Muriqi nuk luajti ndaj Barcelonës xhiron e kaluar për shkak të kartonëve, ndeshje të cilën Mallorca e humbi, e këtë xhiro Muriqi kthehet.

Të dyja do të luajnë për fitore dhe duhet të jetë një ndeshje e mirë. Pavarësisht se a e blen Mallorca kartonin e plotë të prizrenasit gjatë verës apo jo, nëse ishullorët shpëtojnë pa rënë, merita për këtë do të ketë edhe Muriqi.

 

2. Liverpool - Tottenham (e shtunë, 20:45)

Pas sigurimit të pritshëm, por me shumë mund, të finales së Ligës së Kampionëve, Liverpoolin të shtunën mbrëma e pret dueli ndaj Tottenhamit të Contes.

Në luftë për top-katër dhe i papërshtatshëm për skuadrat që luajnë me mbrojtje të vendosur lart si Liverpooli, Tottenhami mund t’ia prishë Liverpoolit planet drejt katërpletës.

Fakti që City tashmë është i koncentruar vetëm në ligë, mund t’ia vështirësojë Liverpoolit gjërat në luftën për titullin në Angli, mirëpo nuk ka asnjë dyshim që “The Reds” do të luftojnë deri në fund për titullin në Angli dhe një prej pengesave më të vështira të mbetura është pikërisht Tottenhami këtë fundjavë.

Të luhen mbi 60 ndeshje në sezon, siç ka bërë Liverpooli, nuk është aspak e lehtë, prandaj kjo skuadër meriton duartrokitje.

Nëse Tottenhami e humbë këtë takim dhe Arsenali fiton ndaj Leedsit të dielën, vendi i katërt për këtë sezon sipas të gjitha gjasave do t’i takojë Arsenalit.

 

3. Feyenoord - PSV (e diel, 16:45)

Tri xhiro para fundit, PSV ndodhet ende në garë për titullin kampion në Holandë, ndonëse gjasat për ta fituar janë të vogla, me Ajaxin që ka 4 pikë më shumë.

Këtë të diel PSV luan në Roterdam ndaj Feyenoordit në një klasike holandeze, që gjithmonë prodhon futboll të mirë në një atmosferë tejet të mirë të krijuar nga shikuesit e flaktë holandez.

Feyenoordi për momentin është i treti në elitën e futbollit holandez dhe sipas të gjitha gjasave do ta mbyllë sezonin aty, por për këtë skuadër sezoni mund të mbyllet me trofe evropian, pasi që Feyenoordi në mesjavë e ka siguruar finalen e UEFA Conference League, ku në Tiranë do të përballet me Romën.

Ajaxi ndeshjen e vet e luan para PSV-së dhe nëse Ajaxi fiton, e PSV nuk e mposhtë Feyenoordin, çështja e titullit do të mbyllet menjeherë të dielën, me Ajaxin që ka goldallim bindshëm më të mirë se PSV.

 

4. Verona - Milan (e diel, 20:45)

Për shkak që qëndron më mirë se Interi në përballjet mes tyre këtë sezon, Milanit i duhen 7 pikë nga 3 ndeshjet e mbetura për ta fituar titullin kampion në Serie A, duke llogaritur që Interi i fiton të gjitha ndeshjet e tij.

Fitorja e vonshme ndaj Fiorentinës ishte shumë e madhe për Milanin, pasi që tregoi pjekuri dhe fitoi edhe pse nuk po luante aq mirë, e tash këtë fundjavë ka punë në udhëtim te Verona.

Rossonerët kanë qenë fantastik jashtë shtëpisë këtë sezon dhe do të ishte mirë për ta nëse kjo formë ruhet edhe në xhirot e mbetura, pasi që 2 prej 3 takimeve të mbetura i luajnë jashtë shtëpisë.

Verona di të jetë fort e papërshtatshme, sidomos në shtëpi, dhe ndeshja mund të shkojë pa gola për një kohë të gjatë, si ajo ndaj Fiorentinës. Do të jetë shumë më rëndësi për Milanin të shënojë i pari. Nuk do të çuditesha nëse edhe këtë ndeshje Milani e fiton minimalisht.

 

5. Fiorentina - Roma (e hënë, 20:45)

Kualifikimi në finale të UEFA Conference League padyshim që e ka bërë të lumtur Jose Mourinhon. Është një trofe që ai do të donte ta fitonte me Romën dhe kalimi në finale pasi e mposhti një skuadër si Leicester padyshim që është rezultat fantastik për Romën. Në finale, që luhet në Tiranë, Roma përballet ndaj Feyenoordit dhe ka mundësi për ta mbyllur sezonin me trofe - që nuk ndodhë shpesh te Roma.

Për më tepër, kjo është finalja e parë evropiane pas 30 viteve për Romën, ndërkohë që Jose Mourinho tashmë ka shkuar të paktën në një finale me secilën skuadër që e ka drejtuar.

Të hënën, Roma udhëton për të luajtur me Fiorentinën, që ende ka gjasa për një pozitë që çon në Evropë sezonin tjetër.

Së fundi forma e Fiorentinës nuk ka qenë e mirë dhe nuk do të çuditesha nëse reagimi vjen pikërisht Romës së lodhur nga ndeshjet evropiane.

Ndeshje e mirë për të hënën mbrëma.

 


 
Të gjitha lajmet nga Premier League