KOLUMNE
5 për fundjavë - e fundit për këtë sezon
Shkruan: G.P
20 May, 2022 @12:00
Fundjava e fundit e ligave për këtë sezon. Rrjedhimisht, edhe “5 për fundjavë” e fundit për këtë sezon.
Për titull në Angli e Itali, për vend të dytë në Francë, për mbijetesë në Spanjë si dhe finalja e Kupës në futbollin gjerman.
1. Freiburg - Leipzig (e shtunë, 20:00)
Finalja e Kupës së Gjermanisë.
Dy skuadrat që përgjatë gjithë sezonit në Bundesligë luftuan për një vend që dërgon në Champions League vitin tjetër, këtë të shtunë do të përballen në Olympiastadion të Berlinit në finalen e DFB Pokal.
Më favorit për ta fituar këtë trofe llogaritet Leipzigu, ndërkohë që Freiburgu do ta kërkojë befasinë.
Që të dyja përballjet mes këtyre dy skuadrave në Bundesligë këtë sezon u mbyllën me barazim dhe nuk do të ishte befasi edhe nëse koha e rregullt e finales përfundon me barazim.
Cilado skuadër që e fiton këtë finale, do të ishte triumf historik për të, pasi që asnjëra prej tyre më parë nuk është stolisur me këtë trofe. Leipzigu ka shkuar dy herë në finale të kësaj kupe, por nuk ka arritur ta fitojë, e për Freiburgun është finalja e parë në histori të klubit sa i përket DFB Pokal.
2. Marseille - Strasbourg & Lens - Monaco (e shtunë, 21:00)
Xhiroja përmbyllëse në Ligue 1. Parisi kampion, St.Etienne i madh ende me gjasa për barazh, skuadrat e lojtarëve të Kosovës veçse kanë shpëtuar, e vëmendja në xhiron e fundit është te lufta për vendin e dytë.
Me pikë të barabarta, Marseille e Monaco në xhiron e fundit do të luftojnë indirekt për vendin e dytë, që dërgon direkt në Champions League, ndërkohë që vendi i tretë çon në Play Off drejt Ligës së Kampionëve.
Marseille ka punë ndaj Strasbourgit në shtëpi, kurse Monaco udhëton për t’u përballur me Lensin.
Nëse fitojnë që të dyja, goldallimi më i mirë do të vendos se kush përfundon i dyti. Për momentin, Monaco ka goldallim më të mirë se Marseille për 4 gola dhe rrjedhimisht është favorit për ta mbyllur sezonin në vendin e dytë.
Në rast se ndonjëra prej këtyre dyjave (apo që të dyja) humbë, dhe Rennesi e fiton ndeshjen e vet në udhëtim te Lille, Rennes do të ngjitet në pozitat 2/3, pasi që ka golaverazh dukshëm më të mirë se të dyja skuadrat e lartpërmendura.
3. City - Aston Villa & Liverpool - Wolves (e diel, 17:00)
Tjetër sezon i Premier Ligës ku kampioni vendoset në xhiron e fundit.
Dy skuadrat bindshëm më të mira të ligës e kanë çuar sezonin në xhiron e fundit, ku titulli mbetet në dorën e Manchester Cityt.
Duke llogaritur që Liverpooli fiton ndaj Wolves, Cityt i duhet detyrimisht fitorja ndaj Aston Villës në mënyrë që ta fitojë titullin, me diferencën mes Cityt dhe Liverpoolit që është vetëm 1 pikë.
Nuk i dihet, ndoshta Steven Gerrard me Aston Villën e tij “do t’ia fitojë titullin” Liverpoolit. Atë që së bëri si lojtar për Liverpoolin, ndoshta e bën si trajner…
4. Sassuolo - Milan & Inter - Sampdoria (e diel, 18:00)
S’ka shumë për të treguar. Vetëm një pikë i duhet Milanit në udhëtim te Sassuolo që ta fitojë titullin e merituar të Serie A-së, i pari që nga sezoni 2010/2011 dhe i 19-ti në kuadër të Serie A-së.
Në anën tjetër, Interi është i varur nga rezultati i Milanit, dhe nëse Milani nuk mposhtet nga Sassuolo, rezultati i Interit nuk ka rëndësi këtë xhiro, për shkak që Milani qëndron më mirë se Interi në përballjet mes tyre këtë sezon.
Stadiumi i Sassuolos ka hapësirë vetëm për rreth 20 mijë shikues, e pesëfish më shumë tifozë të Milanit kanë tentuar të blejnë bileta për këtë ndeshje. Do të jetë festë e çmendur nëse Milani shpallet kampion!
5. Osasuna - Mallorca & Alaves - Cadiz & Granada - Espanyol (e diel, 20:00)
Situatë interesante për luftën për mbijetesë në La Liga.
Në Spanjë për renditjen përfundimtare përparësi kanë përballjet direkte, e jo goldallimi, me ç‘rast Getafe është e shpëtuar pasi që qëndron më mirë në përballjet direkte si ndaj Mallorcës, e ashtu edhe ndaj Cadizit.
Nga liga ende mund të bie Elche, që qëndron më dobët në përballje direkte ndaj Cadizit, ndërkohë që më të rrezikuarat mbesin Mallorca, Cadiz e Granada.
Mallorca e Vedat Muriqit, i cili do të ketë merita të jashtëzakonshme nëse Mallorca shpëton, në xhiron e fundit luan në udhëtim te Osasuna, Cadiz ka punë më të lehtë pasi që udhëton te Alavesi i vendit të fundit, kurse Granada e pret Espanyolin në shtëpi.
Nëse përfundojnë me pikë të babarta, për shkak të përballjeve direkte Mallorca do të renditet mbi Cadizin në renditje, por jo mbi Granadën. Kjo e fundit qëndron më mirë se Mallorca në përballjet e ndërsjella.
Sa i përket përballjeve direkte mes Cadizit dhe Granadës, këto dyja kanë qenë të barabarta në përballjet direkte mes tyre sivjet, me ç‘rast do të vendos goldallimi nëse përfundojnë me pikë të barabarta. Për momentin edhe goldallimi mes tyre është i njëjtë, por Granada ka shënuar e pësuar paralelisht nga 10 gola më shumë.
Situatë interesante dhe për t’u përcjellur