FINALJA | EINTRACHT FRANKFURT 1 (5) - 1 (4) GLASGOW RANGERS
Rikthimi në fron, pas 42 vitesh Eintracht Frankfurt feston
18 May, 2022 @23:55
Një sukses i jashtëzakonshëm i trajnerit austriak Oliver Glasner të mërkurën mbrëma, ndërsa Eintracht Frankfurt ka arritur të fitojë trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin ekipor evropian.
Ekipi gjerman pas fazës grupore gjatë edicionin vjeshtor të Europa Ligës ka kaluar radhazi Real Betisin spanjoll, Barcelonën spanjolle dhe në gjysmëfinale edhe West Ham Unitedin, për të arritur finalen e madhe ndaj Glasgow Rangersit skocez.
Trofeu i fundit evropian i Eintracht Frankfurtit daton gati gjysmë-shekulli më parë, 1980, kur kishin fituar garën e njëjtë, por që atëherë quhej UEFA Cup. Paraardhësja e Europa League.
E finalja në pjesën e parë ishte e qetë, derisa në skenë doli nigeriani i Rangersit, Joe Aribo, që shënoi për avantazhin e ekipit të drejtuar nga holandezi Gio Van Bronckhorst, 33 minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes.
Shpejt reaguan gjermanët, ndërsa kolumbiani i dalluar i ekipit, Raphael Borre, që shënoi disa gola tejet të bukur deri këtu, u gjend më së miri në zonë, për të barazuar rezultatin kur kishin mbetur edhe 21 minuta deri në fund të ndeshjes.
Gola më s’kishte dhe ndeshja, përkundër disa rasteve tepër të mira të skocezëve, që vetëm falë portierit Kevin Trapp nuk u realizuan, shkoi në vazhdime e më pas edhe në penallti.
E aty, Rangers kishte bërë një ndërrim, që sipas trajnerit do të duhej të ishte i rëndësishëm. Van Bronkchorst kishte futur në lojë yllin e dikurshëm të Arsenalit dhe Juventusit, Aaron Ramsey (119’), ashtu që ai me përvojën e tij të shënojë një penallti në seri.
Por, fatkeqësisht për të, e fatmirësisht për gjermanët, ka qenë uellsiani Ramsey i vetmi që ka dështuar nga pika e bardhë kur ekipet shutuan nga pesë penallti, për triumfin e Eintrachtit 5-4 dhe festën e madhe.
Festa e madhe nuk kufizohej vetëm në Ramon Sanchez Pizjuan të Sevillës ku u zhvillua finalja për adhuruesit e Eintrachtit. Ata kishin mbushur edhe stadiumin e tyre përplot me tifozë, jo vetëm në tribuna por edhe në fushë dhe në ekran të madh përjetonin secilin minut të finales - për të shpërthyer në festë gjigande gjithcka pas afro 150 minutave, sa zgjati komplet ndeshja bashkë me pushimet në të.
E tëra nuk përfundon këtu. Përmes rregullit të UEFA-së, Eintracht Frankfurt që ka përfunduar stinorin 2021/22 në pozitën e 11 të Bundesligës - ka siguruar edhe pjesëmarrjen në fazën grupore të Ligës së Kampionëve për edicionin 2022/23 - duke pasur një mundësi të mirë për të shtuar buxhetin e klubit, e nëse mirret parasysh menaxhimi i mirë që mund të bëhet, ekipi mund të ngritet në rivalizues të fortë për TOP 4-shen e Bundesligës në stinorët në vijim.
Radhazi për Eintrachtin në seri të penalltive shënuan: Christopher Lenz, Ajdin Hrustic, Daichi Kamada, Filip Kostic, Rafael Borre, ndërsa për Rangersin shënuan James Tavernier, Steven Davis, Scott Arfield, dështoi në moment Aaron Ramsey dhe të fundit, e shënoi Kemar Roofe.
Notat e lojtarëve:
Eintracht Frankfurt: Trapp 8, Tuta 5, Toure 6, Nduka 6, Knauff 7, Rode 6, Sow 5, Kostic 7, Kamada 6, Lindstrom 6, Borre 7. Rez. : Hasebe 6, Hauge 6, Jakic 6, Hrustic 6. |
|||
Glasgow Rangers: McGregor 6, Tavernier 6, Goldson 6, Bassey 8, Barisic 5, Jack 5, Lundstram 6, Kent 5, Wright 5, Kamara 6, Aribo 6. Rez.: Davis 6, Sakala 5, Arfield 7, Ramsey 6, Roofe 7. |