EKSKLUZIVE
Robert Gjeraj: 100% të fokusuar për fitore ndaj Vushtrrisë
18 May, 2022 @13:53
Kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj, që ka mbajtur barrën kryesore të skuadrës përgjatë stinorit 2021/22 në Ligë të Parë Grupi A, pret ndeshje interesante dhe të vështirë në përballjen e parë të barazhit, ndaj Vushtrrisë.
Nga Liga e Parë e Kosovës, Grupi A dhe Grupi B, futen në Superligë fituesit e grupeve (Trepça’89 dhe Ferizaji), ndërsa skuadrat që përfundojnë në vend të dytë të grupeve përkatëse ndeshen mes vete (Liria dhe Vushtrria). Por, rrugëtimi i tyre potencial për Superligë, nuk është i lehtë, pasi që pas kësaj ndeshjeje, fituesi i saj do të duhet të ndeshet edhe me pozitën e tetë të Superligës në përballjen vendimtare - që përcakton ekipin e fundit pjesëmarrës në Superligë për edicionin 2022/23.
Gjeraj, që ka përvojë të madhe nga Superliga dhe ka luajtur si lojtar standard në mbrojtje të skuadrës që nga fillimi i këtij sezoni, parashikon ndeshje të vështirë për të dyja palët më 21 maj në Klinë.
“Mendoj se do të jetë ndeshje e vështirë për të dyja palët,” ka thënë fillimisht Gjeraj në një bisedë me TopSporti.com para ndeshjes.
Sa i përket përgatitjeve të skuadrës për këtë ndeshje, ai ka bërë të ditur se Liria është përgatitur jo vetëm si ekip, por edhe si qytet për të arritur sukses.
“Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, për të dalë të suksesshëm në këtë përballje të vështirë. Duke filluar nga Kryesia, shtabi teknik, lojtarët, tifozët dhe i gjithë qyteti, tashmë i kemi bërë të gjitha përgatitjet për të arritur më të mirën në këtë ndeshje, pasi që jemi të fokusuar plotësisht në këtë përballje për të kaluar tutje në barazhin e radhës,” ka shtuar Gjeraj 37-vjeç, që ende po mban formë të mirë përkundër moshës.
Ndërsa, sa i përket vetë ndeshjes Gjeraj ka cekur se përgatitja psikike do të luajë rol të madh në këtë përballje që shihet si e barabartë përgjithësisht, pasi që një ndeshje vendos.
“Do të jetë një luftë e madhe sportive brenda në fushë, ndërsa mendimi im është më i përgatituri psikikisht për këtë duel do të ketë përparësi dhe mundësi më të madhe për të kaluar tutje,” ka shtuar prizrenasi.
-E nëse kalohet barazhi i parë, nëse eliminohet Vushtrria, kë mendon se do ta keni kundërshtar sipas situatës aktuale që po mbretëron në Superligë?
“Për këtë duhet pritur rezultatet e xhiros së fundit të Superligës, mirëpo nëse kisha mundur të shpreh dëshirën time do ta zgjedhja Malishevën, e pse jo edhe Prishtinën. Gjithsesi, fokusi primar është njëherë Vushtrria, pastaj kundërshtari i radhës nuk është edhe aq i rëndësishëm, pasi që jemi të koncentruar plotësisht për ndeshje ndaj vushtrriasve,” ka thënë në fund ai.
Përndryshe, Liria drejtohet nga trajneri Granit Begolli që me ndihmësin e tij Blerim Bunjaku erdhën në mes të stinorit 2021/22 në Përparim Thaçi. Përkundër fillimit jo të mirë në pjesën pranverore, Liria mori veten shpejt dhe marshoi drejt pozitës së dytë të renditjes tabelare për të siguruar barazhin për Superligë.
Prizrenasit kryen stinorin 2021/22 në Ligë të Parë Grupi A me 13 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje, duke shënuar 44 herë në portat kundërshtare dhe duke pranuar 33 gola.
Dueli i barazhit luhet më 21 maj në stadiumin “18 qershori” në Klinë. Luhet vetëm një ndeshje, ndërsa fituesi kërkohet fillimisht brenda 90-minutave. Nëse jo, atëherë shkohet në vazhdime, e deri në penallti.
Dje skuadrat e Lirisë dhe Vushtrrisë kanë zyrtarizuar se pas shortit të tërhequr, Liria do të jetë në cilësinë e vendases në këtë ndeshje dhe simpatizuesit e saj do të jenë në tribunë Perëndimore, ndërsa simpatizuesit e Vushtrrisë në tribunën Lindore të stadiumit.
Më parë, tifozëritë e të dyja skuadrave kanë bërë të ditur se do të udhëtojnë masovikisht të shtunën e 21 majit për në Klinë, ku janë përmendur mbi 20 autobusë të organizuar për këtë duel nga të dyja palët.
Fituesi i ndeshjes Liria-Vushtrria ndeshet me ekipin që përfundon në pozitë të tetë të Superligës stinorin, më datë 28 maj në “Zahir Pajaziti” të Podujevës. Njëjtë edhe kjo - një ndeshje, dhe fituesi siguron Superligën për edicionin 2022/23.