EKSKLUZIVE
Dior Zabërgja: Synimi jonë dihet që nga fillimi i sezonit - Superliga!
18 May, 2022 @13:10
Njëri ndër lojtarët e dalluar të Vushtrrisë që ka bërë karrierë në disa klube të Superligës dhe tashmë është kthyer te Vushtrria nga janari i këtij viti, duke ndihmuar që skuadra potencialisht të arrijë Superligën, Dior Zabërgja, ka folur ekskluzivisht për TopSporti.com para ndeshjes së barazhit ndaj Lirisë së Prizrenit.
Nga Liga e Parë e Kosovës, Grupi A dhe Grupi B, futen në Superligë fituesit e grupeve (Trepça’89 dhe Ferizaji), ndërsa skuadrat që përfundojnë në vend të dytë të grupeve përkatëse ndeshen mes vete (Liria dhe Vushtrria). Por, rrugëtimi i tyre potencial për Superligë, nuk është i lehtë, pasi që pas kësaj ndeshjeje, fituesi i saj do të duhet të ndeshet edhe me pozitën e tetë të Superligës në përballjen vendimtare - që përcakton ekipin e fundit pjesëmarrës në Superligë për edicionin 2022/23.
E Zabërgja, duke folur për ndeshjen e 21 majit ndaj Lirisë, ka thënë se kjo është ndeshja më e rëndësishme deri tash e këtij stinori për ta.
“Mendoj se deri më tani kjo është ndeshja jonë më e rëndësishme që do ta zhvillojmë. Synimi ynë që nga fillimi i stinorit dihet, është hyrja në Superligë. Ndërsa për të arritur këtë synim, ne duhet të kalojmë pengesën e parë që është Liria,” ka thënë fillimisht mesfushori që ka shënuar mbi 8 gola për skuadrën e tij këtë stinor, përfshirë edhe një tepër të bukur.
Ndërsa, sa i përket gjasave të Vushtrrisë në këtë ndeshje, ai e ka vlerësuar realisht si ndeshje tepër të barabartë, kurse sa i përket mundësisë për të kaluar tutje, ka thënë janë 50-50.
“Gjasat në këtë ndeshje mendoj se i kemi të barabarta me skuadrën e Lirisë, pasi që zhvillohet një ndeshje e vetme,” ka shtuar ai, derisa ka vazhduar të flet për kundërshtarin, duke pasur respekt, por jo edhe frikë nga rivali.
“Përballë nesh është një skuadër që në radhët e saja ka lojtarë me përvojë dhe lojtarë cilësorë. Mirëpo, edhe ne kemi një ekip të komponuar bukur mirë. Mendoj se kjo ndeshje do të jetë ndeshje e luftuar në secilin sekond të saj, ndeshje jetike për të dyja skuadrat prandaj do të jetë luftë e madhe në fushë, ku në fund mendoj se ne do të dalim fitues,” ka thënë vushtrriasi.
Përndryshe, Zabërgja 27-vjeçar shpreson që ekipet të dhurojnë lojë të mirë ashtu që tifozët e shumtë që kanë paralajmëruar udhëtimin në Klinë ku do të luhet kjo ndeshje, të kënaqen me futboll cilësor.
-E nëse kalohet barazhi i parë, nëse eliminohet Liria, kë mendon se do ta keni kundërshtar sipas situatës aktuale që po mbretëron në Superligë?
“Mendoj se njëra në mes Malishevës dhe Dukagjinit do të jetë kundërshtar potencial në barazhin e radhës. Drenica ka ndeshje të lehtë dhe besoj që do t’i ikë barazhit, ndërsa nuk duhet harruar që edhe Prishtina është e rrezikuar për barazh, por gjasat më të mëdha janë njëra mes Malishevës dhe Dukagjinit,” parashikon Zabërgja në fund.
Përndryshe, Vushtrria drejtohet nga trajneri i dikurshëm i Lirisë, Samuel Nikaj dhe ka qenë ekip pa humbje në Ligë të Parë të Kosovës deri vonë. E pasi që siguruan vendin e dytë dhe barazhin, ata përfunduan stinorin me 12 fitore, 10 barazime e 5 humbje. Vushtrria pësoi për herë të parë në kampionat tek në xhiron e XX të Ligës së Parë, në ndeshje derbi ndaj Ferizajit, pas një serie prej 19 ndeshjeve pa humbje.
Dueli i barazhit luhet më 21 maj në stadiumin “18 qershori” në Klinë. Luhet vetëm një ndeshje, ndërsa fituesi kërkohet fillimisht brenda 90-minutave. Nëse jo, atëherë shkohet në vazhdime, e deri në penallti.
Dje skuadrat e Lirisë dhe Vushtrrisë kanë zyrtarizuar se pas shortit të tërhequr, Liria do të jetë në cilësinë e vendases në këtë ndeshje dhe simpatizuesit e saj do të jenë në tribunë Perëndimore, ndërsa simpatizuesit e Vushtrrisë në tribunën Lindore të stadiumit.
Më parë, tifozëritë e të dyja skuadrave kanë bërë të ditur se do të udhëtojnë masovikisht të shtunën e 21 majit për në Klinë, ku janë përmendur mbi 20 autobusë të organizuar për këtë duel nga të dyja palët.
Fituesi i ndeshjes Liria-Vushtrria ndeshet me ekipin që përfundon në pozitë të tetë të Superligës stinorin, më datë 28 maj në “Zahir Pajaziti” të Podujevës. Njëjtë edhe kjo - një ndeshje, dhe fituesi siguron Superligën për edicionin 2022/23.