Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PAS SHORTIT

Drita mëson kundërshtarin, trajneri shpreson në befasi

Drita mëson kundërshtarin, trajneri shpreson në befasi


Teksti: FFK

21 June, 2023 @16:14

Skuadra nënkampione e Kosovës, Drita ka mësuar kundërshtarin e saj në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës. Shorti i tërhequr, të mërkurën, në selinë e UEFA-së, në Nion e ka vënë Dritën përballë skuadrës së njohur çeke, Viktoria Plzen. Skuadra gjilanase do t’i nisë garat nga rrethi i dytë, teksa Gjilani dhe Dukagjini do t’i nisin garat nga rrethi i parë. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Plzen, më 27 korrik, kurse ajo e kthimit më 3 gusht në Prishtinë.

Ndërkohë, skuadra kampione, Ballkani e ka mësuar edhe kundërshtarin e dytë eventual në Ligën e Kampionëve. Në rast se portokallezinjtë arrijnë ta kalojnë sfidën kundër kampionit të Bullgarisë, Ludogorets, atëherë në rrethin e dytë do të takohet me fituesin e ndeshjes ndërmjet Olimpia Lubjanës së Sllovenisë dhe Valmieras së Letonisë. E nëse humb nga Ludogorets, atëherë Ballkani do t’i vazhdojë garat në Ligën e Konferencës, ku do të ballafaqohet me humbësin e ndeshjes Helsinki-Larne.

Kundërshtarët e rrethit të dytë i kanë mësuar edhe Gjilani dhe Dukagjini në Ligën e Konferencës. Gjilani nëse e kalon me sukses sfidën e rrethit të parë ne skuadrën nga Luksemburgu, Progress Niederkorn, do të takohet me skuadrën daneze, Midtjylland, derisa Dukagjini në rast se e kalon skuadrën Europa nga Gjibraltari, në rrethin e dytë do të ketë punë me skuadrën e njohur kroate, Rijeka.

Ndërkaq trajneri i Dritës, greku Akis Vavalis ka thënë se pret që ekipi i tij të shkaktojë befasi ndaj ekipit të fortë çek.

Akis Vavalis, coach of Drita FC

“Një ndeshje shumë e rëndësishme. Kemi një kundërshtarë shumë të vështirë, një kundërshtarë që viteve të fundit ka luajtur në faza të grupeve.
Klubi jonë në vitet e fundit e ka dëshmuar që kundër kundërshtarëve të fort ka pasur përformanca të shkëlqyera dhe shpresojmë shumë që edhe këtë vit të bëjmë mirë dhe pse jo të shkaktojmë befasi.
Të gjithë e din që ne nuk jemi favorit për këtë ndeshje por ne do të luftojmë për shanset tona. Do të jetë një ndeshje e madhe dhe një mundësi e mirë për të gjithë lojtarët tanë dhe për tifozët tanë që të shohin një ndeshje rivalizuese.”
ka thënë trajneri i gjilanasve pas shortit.◼️


 
Të gjitha lajmet nga Conference League