BARAZIM
Penalltitë e Ramadanint, nxjerrin Gjilanin të pamposhtur në Luksemburg
13 July, 2023 @22:57
Dy herë ka barazuar duke shënuar dy herë nga penalltia. Arbnor Ramadani është treguar vendimtar në që t’ia mohojë fitoren ekipit nga Luksemburgu Progres Niederkron, pasi që me saktësinë e tij nga pika e bardhë ka përcaktuar rezultatin përfundimtar, Progres 2-2 Gjilani [De Almeida 11, Natami 62 - Arbnor Ramadani 48pen., 66pen.].
Ndeshja i takoi raundit të parë kualifikues së Ligës së Konferencës, ndërsa te të kuqtë e Karadakut debutoi trajneri Klodian Duro, që erdhi si zëvendësim për të larguarin Zekirija Ramadani.
Angelo Tafas debutoi në portë, ndërsa Atdhe Rashiti në sulm, derisa dy të huazuarit nga Kukësi veshën fanellën gjilanase për herë të parë. Pas barazimit, 2-2, të dy trajnerët bënë nga tri ndërrime, por asnjëri nuk solli rezultat tjetër dhe kështu mund të thuhet se Gjilani doli me rezultat pozitiv nga Luksemburgu, duke shpresuar të rikthejë në favor të vetin gjithçka në ndeshjen e kthimit në Fadil Vokrri më 20 korrik.◼️