VENDOSET PËR STADIUMIN
FFK: Ballkani e Dukagjini si vendas luajnë në “Vokrri”
7 July, 2023 @15:39
Katër ditë para ndeshjes së parë kualifikuese për Ligë të Kampionëve, kampioni i Kosovës ka mësuar stadiumin ku do të duhet ta luajë ndeshjen. FC Ballkani që reagoi dje lidhur me mosvendosjen e lokacionit për ndeshje ndërkombëtare nga FFK-ja, në mungesë të stadiumit për gara të UEFA-së, ka mësuar së fundi para pak çastesh vendin ku do ta zhvillojë ndeshjen.
Kështu, ekipi suharekas do të jetë vendas në “Fadil Vokrri” të Prishtinës për përballjen ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogorets. Në njoftimin e FFK-së është bërë e ditur që eksperti i UEFA-së bashkë me ekipin e mirëmbajtjes do të punojë për kthimin e fushës në gjendje sa më të mirë pas ndeshjeve të mesjavës që vjen.
Pos Ballkanit, që luan të martën më 11 korrik si vendas ndaj Ludogoretsit, edhe skuadra e Dukagjinit, që do të debutojë në gara evropiane, do të luajë aty dy ditë më vonë, kur më 13 korrik pret Europan nga Gjibraltari. Dukagjini do të merr pjesë në kualifikime për Ligë të Konferencës, gara e tretë ekipore për kah rëndësia e UEFA-së.
Mëposhtë, njoftimi i plotë i FFK-së:
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se dy ndeshjet e para të klubeve tona për edicionin e ri të garave evropiane do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pas monitorimit dhe vlerësimit të fushës nga eksperti i UEFA-s, u vendos që ndeshja Ballkani-Ludogorets, në kuadër të rrethit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, më 11 korrik, dhe ajo Dukagjini-Europa, në kuadër të Ligës së Konferencës, më 13 korrik, të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pas këtyre dy ndeshjeve, eksperti i UEFA-së së bashku me ekipin e mirëmbajtjes së stadiumit do të punojnë për t’u rikuperuar edhe mëtutje fusha, e cila ka pësuar dëmtime kohët e fundit. FFK fton klubet që të përkujdesen maksimalisht në ruajtjen e fushës dhe kësisoj stërvitjet zyrtare t’i zhvillojnë në ndonjë stadium tjetër ose në Kampin Nacional në Hajvali, në mënyrë që fusha të mos dëmtohet më shumë.
Duke pasur parasysh se në këtë periudhë është e pamundur të intervenohet në ndërrimin e barit dhe as në zëvendësimin e tij, dhe meqenëse në këtë stadium do të zhvillohen edhe ndeshjet zyrtare të Kombëtares A, Kombëtares U21 dhe të Kombëtares së vajzave, është e nevojshme që fusha të jetë sa më pak e ngarkuar në gjendjen aktuale. Në këtë rast, FFK i fton tifozët dhe opinionin që t’i përkrahin skuadrat tona në këto ndeshje dhe të jenë në numër sa më të madh në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”. Për të siguruar suksesin e skuadrave tona, nevojitet mbështetja dhe entuziazmi i tyre gjatë këtyre ndeshjeve. FFK do të vazhdojë të monitorojë gjendjen e fushës dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta rikuperuar atë sa më mirë. Shpresojmë që skuadrat tona të na dhurojnë emocione dhe të hedhin hap të rëndësishëm drejt kualifikimit tutje..”◼️