FITORE PËR KLINASIT
Dukagjini debuton me fitore në gara evropiane
13 July, 2023 @21:54
Fitorja ka qenë më e rëndësishme se gjithçka sonte për Dukagjinin që debutoi në gara evropiane, duke qenë ditë historike kjo për klubin nga Klina, ndërsa ajo ka ardhur në kohën shtesë të ndeshjes, kur Iljasa Zulfiu ka shënuar në kohën shtesë përmes një devijimi për t’ia sjellë festën “hithave” në fund, për përfundimtaren Dukagjini 2-1 Europa [Bujar Shabani 30, Iljasa Zulfiu 90+5 - Jesus Pozo 45+6].
Pamohueshëm, goli i epërsisë me Bujar Shabanin ishte i bukur. Mesfushori shënoi me një gjysmëvolej, fuqishëm që topi mori rënien për të mposhtur Zappacostan në portën e ekipit nga Gjibraltari. Por, pjesa e parë u mbyll me barazim, pasi që në kohën shtesë mbrojtësi Pozo barazoi shifrat.
Në pjesën e dytë me pesë ndërrime në 20-minutëshin e fundit, tre prej të cilëve në minutën e 80, Dukagjini u sul për fitore, që përkundër rasteve në dispozicion, nuk arrinte assesi, e krejt në fund u gëzua për fitoren historike në debutim.
Dueli i radhës, që pritet të jetë i vështirë gjithashtu, luhet më 20 korrik në Gjibraltar, ku Dukagjini do të tentojë sigurimin e raundit të dytë kualifikues për Ligë të Konferencës.◼️