HENDBOLL
Besa e Kastrioti me fitore, Prishtina mposhtet
13 October, 2018 @22:37
Gjatë ditës së sotme, tri skuadra hendbollistike kosovare e përfaqësuan Kosovën në garat evropiane.
Besa, kampione në fuqi e Kosovës, luajti në kuadër të raundit preliminar të EHF Cup, kurse Kastrioti e Prishtina luajtën në kuadër të EHF Challenge Cup.
Skuadra pejane sonte arriti të shënojë fitore me rezultat 27:20 ndaj skuadrës Drammen, mirëpo për fat të keq, pejanët u eliminuan pasi që në ndeshjen e parë ata ishin mposhtur me rezultat 37-26 dhe në këtë mënyrë skuadra që kalon në fazën tjetër është Drammen, për shkak të golaverazhit.
Fitore sonte shënoi edhe Kastrioti, ekip ky që arriti që ta mposhtë skuadrën e Talinit me rezultat 22-25, rezultat ky që i jep avantazh ferizajasve për ndeshjen kthyese. Sipas marrëveshjes, të dyja takimet mes skuadrave luhen në Ferizaj.
Për dallim nga Kastrioti e Besa, humbje sonte pësoi skuadra e Prishtinës, e cila u mposht me rezultat 32-19 nga ukrainasit e Zaporozhye. Mundësinë për ta përmbysur epërsinë Prishtina e ka nesër, në ndeshjen kthyese që luhet përsëri në Pallatin e Rinisë, por kësaj radhe në cilësinë e vendasit do të jetë Prishtina, së cilës i duhet një fitore me minimum 14 gola epërsi për të kaluar në fazën tjetër.