FORMULA 1
Bottas triumfon në Stamboll, Verstappen i pari në renditjen e përgjithshme
10 October, 2021 @15:37
Finlandezi Valtteri Bottas e ka fituar garën e sotme të Stambollit në Formula 1. Kjo është hera e 10 që Bottas arrin ta fitojë një garë të Formula 1.
Aty ku e filloi, aty edhe e mbylli garën piloti finlandez, e pas tij përfunduan Max Verstappen e Sergio Perez. Ky i fundit zhvilloi një garë fantastike sot. Garë fantastike zhvilloi edhe Carlos Sainz, që garën e nisi i 19-ti, e në fund e mbylli i 9-ti.
Ndonëse në kualifikime ishte i pari, Lewis Hamilton ishte i dënuar që ta fillonte garën 10 pozita më poshtë, prandaj e filloi garën nga vendi i 11, e në fund përfundoi i pesti.
Lewis Hamilton ishte shumë afër që ta mbyllte garën në top 3, sikur të mos ndalej në asnjë pit-stop gjatë gjithë garës, gjë që ai e dëshironte. Mirëpo, ekipi i tij e këshilloi që ta kryente një pit-stop kur nuk kishin mbetur edhe shumë xhiro deri në fund të garës, e kjo i kushtoi atij me humbjen e disa pozitave.
Në renditjen e përgjithshme, Lewis Hamilton tashmë ndodhet i dyti me 256.5 pikë, e vendi i parë momentalisht i takon pilotit Max Verstappen, që ka 262.5 pikë pas garës së sotme.
Gara e ardhshme e Formula 1 do të mbahet në SHBA më 24 tetor, e pas saj janë edhe pesë të tjera deri në fund të sezonit.