FORMULA 1
Garë fantastike në Britani, triumfues Carlos Sainz
3 July, 2022 @18:23
Çfarë gare fantastike pamë sot në Silverstone të Britanisë!
Në fund fitues i garës doli Carlos Sainz, i ndihmuar edhe nga rifillimi i garës pas hyrjes së makinës së sigurisë rreth 10 xhiro para fundit, e pas tij në pozitat 2 dhe 3 përfunduan Sergio Perez dhe Lewis Hamilton. Kjo është hera e parë në karrierë që Carlos Sainz e fiton një garë të Formula 1.
Gara filloi në mënyrë tejet interesante, ku 4-5 garues patën ndeshje mes tyre dhe me ç‘rast gara u ndërpre që në xhiron e dytë. Më keq se të tjerët pësuan garuesit Albon dhe Zhou, të cilët shkuan në qendrën mjekësore pasi u larguan nga gara, por për fatin e mirë të tyre pas kontrolleve mjekësore gjithçka me ta doli të ishte në rregull. Nga gara pas përplasjeve të xhiros së dytë doli edhe George Russell.
Pas rreth gjysmë ore ndërprerjeje, gara vazhdoi. Fillimisht me dy garuesit e Ferrarit po “luftonte” Verstappen, por ai shpejt doli nga pozitat e para dhe me dy garuesit e Ferrarit, Sainzin e Leclercin, po luftonte Lewis Hamilton.
Gjithçka u bë edhe më interesante kur gara u detyrua të rifillonte rreth 10 xhiro para fundit pas hyrjes së makinës së sigurisë. Kjo bëri që garuesit të afroheshin mes vete, e më së miri 10 xhirot e fundit i shfrytëzoi Sergio Perez, që arriti ta merrte vendin e dytë në fund.
I pari përfundoi Sainz, i treti Hamilton, kurse Leclerc humbi podiumin, duke përfunduar i katërti.
Vlen të përmendet që në 10 xhirot e fundit garuesit e pozitave 2-3-4 zhvilluan super-garë, duke i ndërruar pozitat mes tyre shumë shpesh pas tejkalimeve të panumërta ndaj njëri-tjetrit.
Pas garës së Britanisë, i pari në renditjen e përgjithshme vazhdon të mbetet Max Verstappen (181 pikë), që sot e përfundoi garën i shtati, ndërsa ndjekësit më të afërt të tij për titull për momentin janë Sergio Perez (147 pikë) dhe Charles Leclerc (138 pikë).
Sa i përket skuadrave, Red Bull (328 pikë) për momentin është i pari, e pas vetes ka Ferrarin (265 pikë) e Mercedesin (204 pikë).