VOLEJBOLL
Kosova jep sinjale pozitive të zhvillimit
18 May, 2021 @19:00
Ekipi përfaqësues i Kosovës në volejboll në konkurrencën e vajzave, sot ka mbajtur konferencë për shtyp pas kthimit nga Sllovakia, ku zhvilloi ndeshjet kualifikuese në CEV EuroVolley 2021.
Përzgjedhësi Lorik Ilazi së bashku me anëtaret e tjera të përfaqësueses së vajzave, kanë vlerësuar pozitivisht përfundimin e kampanjës së kualifkimeve për Kampionat Evropian, megjithëse ajo u mbyllë pa asnjë fitore.
Ilazi ka thënë se fitorja e një seti është sinjal pozitiv, e pas kësaj synohet edhe hyrja në ritmin e fitores së ndeshjeve.
“Ne kemi punuar me përkushtim dhe e kemi ditur se na duhet punë për të ardhur deri te seti i parë i fituar, sepse pa e fituar të parin s’mund ta synojmë të dytin, dhe pa e fituar të dytin s’mund ta fitojmë ndeshjen” - ka thënë Ilazi.
Mendimin pozitiv me përzgjedhësin, e ka ndarë edhe drejtori i përfaqësueses, Agron Istogu.
“Përfaqësuesja ka patur paraqitje shumë më të mirë sesa në vitin 2018, kur i patëm kualifikimet e fundit. Vërehet përparim e për këtë duhet përgëzuar shtabin teknik, vajzat dhe FVK-në për kushtet që ia ka ofruar përfaqësueses”, shtoi Istogu.
Për kapitenen Adelajda Prenga si dhe dy pikëshënueset më të mira, Dhuratë Sylejmani e Bleona Kadriu, kjo ka qenë përvojë e jashtëzakonshme, nga e cila Kosova kthehet me imazh tjetër, duke fituar edhe respektin e të tjerëve.
Drejtuesit e përfaqësueses, bënë thirrje që të ketë grumbullime më të shpeshta e madje edhe ndeshje miqësore me përfaqësuese të forta, të cilat janë ndihmesë e madhe në procesin e zhvillimit.
Kjo ishte hera e parë që Kosova mori pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian, ku nga grupi jonë, arritën të kualifikohen Sllovakia e Finlanda.
Kosova e fitoi një set, për herë të parë në histori të kualifikimeve, derisa ishte afër që të paktën edhe dy sete të tjera t’i fitonte ndaj Malit të Zi në Podgoricë dhe Sllovakisë në Nitra.