HENDBOLL
Kosova në kualifikime për Euro 2018
15 July, 2014 @15:32
Reprezentacioni i Kosovës në hendboll prej tash duhet të përgatitet shumëfish më shumë. Federata e Hendbollit të Kosovës ka marrë lajm sot nga Federata Europiane e Hendbollit se do të përfshihet në shortin kualifikues për Kampionatin Europian, Euro 2018.
Kështu, Kosova është futur në vazon e tretë parakualifikuese, ku shorti do të tërhiqet më 22 korrik Vienë të Austrisë.
Vazo e parë: Greqia, Estonia, Rumunia
Vazo e dytë: Belgjika, Italia, Luksemburgu
Vazo e tretë: Gjeorgjia, Kosova, Qipro
Pastaj formohen grupet A, B dhe C (nga secila vazo nga një përfaqësuese).
Federata Europiane Kosovën e ka vënë në vazon e tretë të garave të grupeve parakualifikuese për EURO 2018 që fillojnë të zhvillohen në muajin tetor dhe nëntor 2014, pastaj në muajin prill, maj dhe qershor.
Kuptohet secila përfaqësuese luan me secilën nga dy ndeshje (vajtje-ardhje) dhe fituesi i grupit fiton të drejtën të takohet me njërën nga përfaqësueset e tre grupeve që janë të renditura në vendin e katërt gjatë garave kualifikuese për EURO 2016. Ndeshjet suplementare do te zhvilloheshin më 6/7 respektivisht 10/11 prill 2015, dhe fituesi pastaj do ti bashkangjitej garave kualifikuese të fazës së dytë për EURO 2018.
Në kualifikmet për EURO 2018 janë paraqitur gjithsej 38 përfaqësuese.
Në pjesen finale do te kualifikohen 15 skuadra dhe përfaqësuesja nikoqire e EURO 2018.