HUMBJE E RADHËS
Kosova U19 mbyll evropianin në pozitë të parafundit
18 July, 2021 @12:22
Edhe një humbje e radhës, e pritur kjo nga Finlanda dhe kështu, Kosova U19 në hendboll në konkurrencë të femrave ka mbyllur evropianin e Divizionit B në pozitë të parafundit, falë fitores së vetme grupore që e shënuan ndaj Bosnje e Hercegovinës.
Sot në përballje ndaj Finlandës U19 Dardanet kanë arritur vetëm njëherë të barazojnë, 2-2, ndërsa më pas ecuria e finlandezeve nuk ka pasur të ndalur.
Pjesa e parë përfundoi me 7-19 në të mirë të Finlandës, ndërsa ndeshja me 13 gola dallim, 26-39.
Alma Nivokazi me 7 gola qe sot më efikasja te Kosova U19 që po drejtohet nga stafi i trajnerëve Fatlind Mavraj, Faruk Shala e Muhamet Arifi, ndërsa me 5 të shënuara ndeshjen e përfunduan Natalija Milatovic dhe Elisa Mulaj.
Te Finlanda Maja Sannholm me 11 gola nga 13 tentime ka qenë më efikasja nga të gjitha, ndërsa me këtë fitore finlandezet kanë përfunduar evropianin në pozitë të shtatë të renditjes tabelare.
Bilansi i Kosovës U19 nga Evropiani i Divizionit B të shteteve më të dobëta në hendboll, është ky: Një fitore në fazën grupore në grupin me 5 skuadra dhe 4 humbje. Shto këtu 2 humbje tjera në duelet për plasman, atëherë në total evropiani për të përzgjedhurat e Mavrajt është 1 fitore, pa barazime, 6 humbje.