EURO DIV B
Kosova U19 mposhtet thellë nga Islanda U19
17 July, 2021 @16:14
Përfaqësuesja e Kosovës U19 ka pësuar edhe një humbje në kuadër të Kampionatit Evropian Divizioni B që po mbahet në Shkup të Maqedonisë Veriore.
Hendbollistet e reja të Kosovës pas pjesës së parë të luajtur 16-10 në të mirë të islandezeve, në pjesë të dytë kanë rënë edhe më shumë nga loja për përfundimtaren me 14 gola dallim, 37-23.
Elisa Mulaj ka qenë ylli i vetëm që shkëlqente për Kosovën, derisa shënoi mbi gjysmën e golave të Kosovës në ndeshje, duke qëlluar hiq më pak se 12 herë portën e ishulloreve.
Pos saj, për Kosovën U19 u dallua edhe Natalija Milatovic që dha 5 gola.
Te Islanda U19 thuajse i gjithë reprezentacioni shënoi gol, derisa më të dalluarat me nga 5 të shënuara kanë qenë: Bertha Asthildur Bjarkadottir, Elin Rosa Magnusdottir dhe Sara Katrin Gunnarsdottir.
Ndeshja ka qenë e vlefshme për plasmanin përfundimtar në evropian, ku Kosova U19 pritet të përfundojë në pozitat 7 ose 8.