KËRCIME ME SKI
Kraft, më i miri në Oberstdorf
30 December, 2016 @19:04
Kampioni i vitit 2015, austriaku Stefan Kraft, fitoi në garën e parë të turneut të sivjetmë të Katër Kërcimoreve. Kraft, pas kërcimit prej 139 metrave në rrethin e parë që e renditi në pozitën e liderit, mbrojti këtë pozitë duke shtuar edhe një kërcim prej 134.5 metrave për totalin prej 308 pikëve.
Polaku Kamil Stoch ishte i vetmi që sfidoi austriakun, i cili shënoi fitoren e dytë në karrierë në Oberstdorf. Stoch mbylli garën me 305.2 pikë me 135 metra të kaluara në rrethin e dytë. I fundit në podium u ngjit Michael Hayboeck nga Austria me 296.2 pikë.
Lideri i këtij edicioni të Kupës së Botës, slloveni Domen Prevc, mbylli garën i 26-ti, derisa vëllau i tij i madh që njëherë mbron titullin, Peter Prevc, mbylli ditën vetëm si i dhjeti.
Në renditjen e përgjithshme akoma prin Domen Prevc, derisa turneu vijon nesër me kualifikimet në Garmisch prej orës 14:00, me garën ditën e parë të vitit të ardhshëm në po të njëjtën orë.