FALENDERIM

Liga Unike falenderon KB Rahovecin
9 April, 2021 @16:18
Klubi i basketbollit Rahoveci është falenderuar nga Liga Unike për mikpritjen dhe organizimin e ndeshjeve çerekfinale të edicionit të parë historik të kësaj gare.
KB Rahoveci në këtë fazë nuk luajti fare, pasi që u kualifikua direkt në gjysmëfinale për shkak të tërheqjes nga gara e rivales çerekfinaliste, Teutës, por pavarësisht kësaj, vreshtarët ishin organizatorë të tri ndeshjeve të tjera çerekfinale që u zhvilluan më 6 dhe 7 prill në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Për këtë arsye, Liga Unike nëpërmjet një komunikate në faqen e saj ka falenderuar klubin vreshtar.
Komunikatën e plotë të Ligës Unike mund ta lexoni më poshtë:
Falënderim për Rahovecin
Liga Unike falënderon klubin e basketbollit Rahoveci për mikpritjen në ndeshjet çerekfinale të Final 8, që u zhvilluan më 6 dhe 7 Prill.
Po ashtu falënderim i veçantë për angazhimin e të gjithëve nga klubi vreshtarë që gjithçka të shkojë sipas planit, në edicionin e parë të Ligës Unike, që nuk ishte aspak e lehtë, për shkak të kohës së shkurtë të organizimit dhe pandemisë me Covid-19. Jemi falënderues ndaj mikpritjes tuaj, por edhe angazhimit të madh.
Po ashtu falënderim i madh shkon për të gjithë ata që u angazhuan në organizimin e Final 8 në Rahovec, si Federatën e Basketbollit të Kosovës, Federatës së Basketbollit të Shqipërisë, Klubet e Basketbollit, Policinë e Kosovës, mjekët, vullnetarët dhe të gjithë organizatorët.
Mbetemi me shpresë se, organizim i ngjashëm do të jetë edhe në Durrës më 13 dhe 14 Prill, ku do të zhvillohet pjesa finale e garave.
Sa i përket ndeshjeve, Peja mundi Vllazninë për tu kualifikuar në gjysmëfinale, ku do të përballet me Rahovecin, që kaloi pa lojë, pas tërheqjes së Teutës, për shkak të kohës së shkurtër të organizimit.
Goga Basket ishte më e mirë se Tirana, derisa në gjysmëfinale do të përballet me Golden Eagle Ylli, që mposhti Sigal Prishtinën.