Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SPECIALE

Mrekullia çiklistike sllovene

Tadej Pogačar dhe Primož Roglič/ Foto: via theGuardian/ Stuart Franklin AP

Mrekullia çiklistike sllovene


Shkruan: Blerim Myftiu

6 September, 2021 @14:36

Për cilin sport shquhet Sllovenia viteve të fundit? Përgjigja e parë dhe më e popullarizuar me gjasë do të jetë basketbolli i cili ka përjetuar një shpërthim të jashtëzakonshëm me brezin e talentuar të udhëhequr nga tanimë ylli mbarëbotëror, Luka Dončić, kulminacioni i të cilit brez ka qenë titulli i kampionit evropian në 2017. Përcjellësit e thuktë të sportit dhe pëlqyesit e sporteve nëse mund t’i quajmë të rendit të dytë do ta kenë ta gatshme përgjigjen e dytë – ajo do të jetë çiklizmi. Nga këta përcjellës të përnjëmendtë të sportit, do ta kisha pritur edhe përgjigjen e kërcimeve me ski!

Primoz Roglic

Sporti i shquar për kondicion titanik fizik dhe përgatitje të hekurt psikike, kombinuar me bukuritë e shtigjeve natyrale dhe peizazhin pitoresk të krahinave nëpër të cilat zhvillohen etapat anembanë vendbanimeve botërore po dominohet veçmas në tri vitet e fundit nga kombi i vogël evropian 2-milionësh, gjithsesi më i evropianizuar nga ne të ish-Jugosllavisë. Primož Roglič dhe Tadej Pogačar, të përcjellë nga Matej Mohorič dhe Jan Tratnik, janë bërë lokomotivat kryesore të rilindjes së çiklizmit slloven. Nëse ekzistojnë tri xhiro kryesore botërore – Giro d’Italia, le Tour de France dhe la Vuelta a Espana – në 7 të fundit të tyre, 5 herë kanë triumfuar Rogliči apo Pogačari. Primož Roglič është fitues i tri edicioneve të fundit të xhiros rreth Spanjës, kurse Pogačari është fitues i 2 xhirove të fundit rreth Francës. U ka mbetur Giro d’Italia që ta kompletojnë treshen.


Kush janë Primož Roglič dhe Tadej Pogačar?

Primož Rogliči është më seniori i tyre. I lindur me 1989, ka filluar së pari të merret, jo befasisht për një slloven, me kërcimet me ski. Në vitin 2012 ka vendosur të bëjë ndërrim karriere dhe ka kaluar në çiklizëm. Në xhiron e 2017-shit rreth Francës, është bërë slloveni i parë që ka fituar etapë. Më 2019 është bërë slloveni i parë që ka fituar njërën prej super xhirove duke triumfuar në Spanjë. Më 2020, është bërë slloveni i parë që ka bartur fanellën e verdhë në një xhiro të madh (në le Tour de France) dhe në etapën e parafundit, atë karshi kohës, e ka humbur atë ndaj bashkëkombasit të tij Pogačar, i cili edhe e ka fituar garën, duke bërë që vetë Rogliči ta përfundojë i dyti garën më prestigjioze çiklistike në botë. Ngushëllimin do ta gjejë duke triumfuar për së dyti rresht në xhiron e Spanjës më 2020. Fati i keq do ta përcjellë në xhiron e Francës sivjet të cilin për shkak të rrëzimit dhe lëndimit do ta detyrojë ta braktis në gjysmë, por do të tregojë sërish kondicionin e tij të çeliktë duke triumfuar për herë të tretë me radhë në xhiron e kuqe të Spanjës të dielën e kaluar. Përveç tri triumfeve në xhirot e mëdha, ai e ka fituar dy herë xhiron rreth Baskisë (2018, 2021), dy herë xhiron rreth Romandisë (2018, 2019), një herë atë në Tiren-Adriatik (2019) dhe ka triumfuar një herë në garën monumentale Lijezh-Bastonj-Lijezh (2020). Mos të harrojmë se sivjet ka fituar edhe medaljen e artë në garën karshi kohës në Lojërat olimpike verore në Tokio.

Tadej Pogacar & Primoz Roglic

Tadej Pogačari është lindur me 1998 dhe në vitin 2019 është bërë çiklisti më i ri që ka fituar një xhiro nën patronazhin e Federatës ndërkombëtare të çiklizmit (UCI) duke triumfuar në Kaliforni. Po atë vit, kur bashkëkombasi i tij Rogliči triumfonte në xhiron rreth Spanjës, ai do të fitonte tri etapa, do ta përfundonte i treti rangimin e përgjithshëm dhe do të ishte çiklisti i ri me kohën më të mirë. Në vitin 2020 tronditi botën duke e fituar Turin presigjioz francez, i dyti më i ri ta ketë fituar atë ndonjëherë. U bë njëherësh njëri prej tri çiklistëve që arritën që krahas rangimit të përgjithshëm, ta fitonte edhe atë të rinjve dhe klasifikimin e ngjitësve më të mirë në male. Në vitin 2021 e përsëriti triumfin në xhiro, në dukje me një rehati dhe lehtësi të jashtëzakonshme. Që prej tani, ka të tillë që e krahasojnë atë ndoshta me çiklistin më të mirë të të gjitha kohëve, Eddie Merckxin. Slloveni i ri ka triumfuar sivjet edhe në garën e Tiren-Adriatikut dhe të Lijezh-Bastonj-Lijezhit.


Cili është çelësi i suksesit?

Në qoftë se keni kaq shumë individë që tregojnë rezultate kulmore në një sport të caktuar, suksesi nuk mund të jetë i rastësishëm. Paraqitja e një lideri apo talenti që do të jetë udhëheqës i atij brezi paraqet ndoshta çelësin e nevojitur që ky talent të shpërblehet me çmimin që i jepet vetëm fituesit. Luka Dončići nuk do të mundte i vetëm që ta bënte Slloveninë kampione Evrope apo ta dërgonte atë në gjysmëfinalen e turneut olimpik, pa vëllezërit Dragić dhe të tjerët që medoemos janë produkt i një shkolle të organizuar sportive.

Pogacar & Roglic

Kombinimi i organizimit sportiv të mirëfilltë nëpër shkolla me cytjen dhe strukturimin e fëmijëve për t’u marrë me një formë të sportit individual apo kolektiv, dhe i infrastrukturës së domosdoshme për arritjen e rezultateve kulmore sportive paraqesin bazamentin e parë në rrugën e gjatë drejt suksesit. “Promovimi i sportit në shkolla, kombinimi i terrenit malor dhe të rrafshtë me infrastrukturën e mirë të rrugëve dhe shtigjeve, rritja e vetëdijes për profesionalizëm sportiv, janë disa ndërhyrje që sllovenët bëjnë me vite për të arritur rezultate kulmore në çiklizëm”, thotë Miro Miskulin, menaxheri gjeneral i ekipit çiklistik Rog, ku Pogačari i ka bërë hapat e parë.

Në Slloveni ka shumë shkolla çiklizmi, ku shumë ish-çiklistë, si Andrej Hauptman, ua mësojnë fëmijëve mësimet e para të çiklizmit dhe ua japin infuzionin e parë të dashurisë për shtigje. Ai ka punuar që prej moshës së re me Pogin (siç e quajnë kampionin e Turit) dhe e përcjellë ende atë në ekipin aktual, UAE-Emirates. Djemtë dhe vajzat sllovene që në moshat 10-11 vjeçare fillojnë të garojnë në xhirot evropiane për të rinjtë dhe të rejat duke u ngjitur gradualisht në botën e çiklizmit. “Më ndali para ashensorit dhe më pyeti: sa larg është maja e malit nga finishi?”, tregon Hauptmani të ketë qenë pyetja e vetme të cilën Pogi 17-vjeç ia kishte bërë në garën e parë si junior, duke treguar se në mendjen e tij e kishte vetëm sulmin.

Andrej Hauptman

Zellin për punë të çiklistëve sllovenë e tregon edhe drejtori sportiv i një ekipi tjetër që për bazë ka zgjedhur ta ketë Slloveninë edhe pse financohet nga paraja e derivateve të Lindjes së Mesme - Bahrain-Merida, Gorazd Štangelj. “Kur u kërkojmë të punojnë, ata nuk japin as 60%, as 40%, por japin maksimumin e tyre. E kemi ende ndjenjën se jemi të vegjël, prandaj duhet ta dëshmojmë veten. Nuk jemi kombe të mëdha në vete dhe në çiklizëm, siç janë Italia, Spanja, Franca, Belgjika apo Britania e Madhe.”, rrëfen Stangelj.

Tadej Pogacar

Me këtë organizim të mirë të sportit të çiklizmit në Slloveni, duket se top-atletët dhe kampionët vetëm se do të shtohen me kalimin e kohës. Para sidomos Pogačarit që këtë muaj i mbush vetëm 23, janë edhe shumë vite aktive të sportit, në të cilat nëse mbahet kjo përgatitje e lartë fizike dhe psikike, mund të jenë duke pritur edhe shumë trofe të çmuara. Prapa suksesit në çiklizëm, ajo që është më mahnitëse qëndron një mentalitet i tërë sportiv dhe një infrastrukturë në shërbim të këtij mentaliteti që kohëve të fundit e kanë gjallëruar futbollin, basketbollin, hendbollin dhe volejbollin slloven, si edhe kanë nxjerr në pah një varg sportistësh kulmorë individualë. Shumë prej këtyre mungojnë në Kosovë, por do ta theksoj një pikë që mungon më së tepërmi – rolin e radiotelevizionit publik në transmetimin e sporteve në kanalet e tij, duke qenë imponuesi vizual i disiplinave të ndryshme ku prindërit dhe të vegjlit do të kenë mundësi që të përcjellin një varg sportesh të ndryshme dhe ta mbjellin dashurinë për to.


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera