HENDBOLL - EURO 2016

Foto: Kosova Handball
Paraqitje dinjitoze e Kosovës U18
Teksti: Kosova Handball
23 August, 2016 @18:15
Në Varna të Bullgarisë, më saktësisht në palestrat sportive të qendrës sportive të Kamchisë dhe qytetit të Varnës, u zhvillua Kampionati Evropian në kuadër të Divizionit B për grupmoshën U18 nga data 14-22 gusht, me ç`rast edhe Përfaqësuesja e Kosovës ishte pjesëmarrëse duke zhvilluar gara në kuadër të Grupit A.
Para udhëtimit në Bullgari, skuadra U18 e Kosovës në hendboll ishte e grumbulluar për 60 ditë, duke zhvilluar stërvitje intenzive në mënyrë që në Kampionatin Evropian të paraqiteshin sa më mirë.
Duke marrë parasysh mospërvojën në ngjarje të mëdha, rezultati i Kosovës në këtë kampionat ishte mjaft i mirë, meqë nga 6 ballafaqime, 3 u fituan dhe 3 u humbën, madje njëra nga humbjet (ajo ndaj Maqedonisë) erdhi në çastet e fundit, me mospërvojën e lojtarëve të Kosovës që ishte e dukshme.
Sidoqoftë, angazhimi, cilësia e disa lojtarëve dhe dëshira për fitore ishin komponentët te cilët Përfaqësuesen e Kosovës e radhisin lart edhe në bazë të opinioneve të zyrtarëve të EHF-it por edhe trajnerëve të kombëtareve tjera pjesëmarrëse.
Fituesi i këtij Kampionati, Kombëtarja e Hungarisë, ishte e pamëshirshme ndaj kundershtarëve, prandaj edhe humbja e Kosovës me rezultat të lartë mund të arsyetohet, kurse me Kombëtaret tjera djelmoshat tanë ishin të barabartë (Ukrainën dhe sidomos Maqedoninë) kurse superior ndaj Armenisë, Qipros dhe Luksemburgut.
Në krye të skuadrës kosovare ishte kryetrajneri Verim Zherka, ndërsa ndihmësit e tij ishin Uran Luzha dhe Sami Çerkini. Fizeoterapet i skuadrës ishte Ilir Konjusha.