PEJA, LEHTË NË GJYSMËFINALE
Peja pa telashe ndaj Prizrenit, siguron gjysmëfinalen
8 September, 2024 @20:03
Skuadra e Pejës, që ka nisur edhe stinorin e radhës me trajnerin e tyre Rami Hadar ka kaluar pa telashe ekipin e Prizrenit në kuadër të çerekfinales së Superkupës. Krahasuar me dy ndeshjet e para çerekfinale, mund të thuhet se kjo ka qenë ndeshja ku fituesi i duelit ka kaluar më së lehti, duke mos i lënë shumë mundësi kundërshtarit për rrezikim të fitores.
Peja majti kontrollin e lojës në pjesën më të madhe të ndeshjes, ku pas pjesës së parë të lojës 48-39, ka fituar me 19 pikë dallim ndeshjen me rezultatin përfundimtar 100-81 duke u bërë kështu edhe ekipi i parë që arrin shifra treshifrore të shënuara në Superkupën e këtij viti që po organizohet në Prizren.
Me 23 pikë Jawaun Daniels ka qenë më efikasi në këtë ndeshje duke bërë edhe 3 asistime e 11 kërcime, për të kryer debutimin zyrtar me double-double, ndërsa me nga 15 pikë lojën e përfunduan Shahada Wells e Adong Makoui, ku i pari gjithashtu bëri double-double, pasi që regjistroi edhe 10 asistime në llogari të tij.
E mira e Pejës në këtë ndeshje ishte që 6 lojtarë arritën pikë dyshifrore, për të treguar shpërndarjen e arsyeshme të pikëve, ndërsa debutoi edhe ish-lojtari i Trepçës Amin Hot, që për 15 minuta dha 3 pikë e bëri 9 asistime te verdhezinjtë fitues.
Ndërkaq Prizreni i Arbnor Rifatit duket të komponohet edhe më për Superligë, pasi që pos të huajve dhe Edmond Kryeziut që dha 17 pikë, të tjerët nuk arritën të kapin ritmin e duhur. Me nga 22 pikë te Prizreni koshashënues më të mirë ishin Wayne Arnold dhe Jordan Johnson.
Peja kalon në gjysmëfinale, ndërsa kundërshtarin do ta mësojë sonte, kurse Prizrenit i mbeten ditët në vijim për tu komponuar edhe më mirë për fillimin e stinorit.