PRISHTINA - BESA
Prishtina ‘ringjall’ hendbollin kosovar, Besa mposhtet pas 4 viteve
24 February, 2018 @21:27
Për herë të parë që nga maji i vitit 2014, skuadra e Besa Famiglias ka pësuar humbje në kuadër të Superligës së Kosovës në hendboll.
Skuadra pejane tash e sa vite nuk pësonte humbje në ligë dhe kampionatet i fitonte me lehtësi, mirëpo kjo ka ndryshuar sivjet, me Prishtinën e mobilizuar që po i rivalizon pejanët në luftën për titullin kampion.
Në ndeshjen e sotme që u zhvillua në kryeqytet, Prishtina e mposhti Besën me rezultat 35-29, në një takim i cili mblodhi një numër të konsiderushëm të shikuesve si dhe ishte mjaft interesant.
Për t’u përmendur është fakti që Prishtina sonte ishte e përbërë plotësisht nga lojtarë vendor, ndërsa Besa në anën tjetër në radhët e saj kishte disa lojtarë të huaj.
Fitorja e Prishtinës në duelin e sotëm bën që lufta për titull të bëhet edhe më interesante, pasi që tashmë të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta në vendet 1 dhe 2 në tabelë.
Në takimet e tjera të ditës, Vushtrria e ka mposhtur Dritën në Gjilan me rezultat 25-36 dhe Trepça e ka mposhtur Samadrexhën me rezultat 34-28, ndërsa nesër luhen takimet mes Llapit e Kastriotit dhe Vëllaznimit e Zhegrës.