Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LOJËRAT EVROPIANE

Publikohet lista e sportistëve për LE Minsk 2019

Publikohet lista e sportistëve për LE Minsk 2019


Teksti: KOK

6 June, 2019 @15:59

Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë publike listën prej 12 sportistëve të Kosovës, të cilët do ta përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, të cilat mbahen prej 21-30 qershor 2019 në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Listës i prinë kampionia Olimpike Majlinda Kelmendi, e cila për herë të parë do të garojë në Lojërat Evropiane. Në Baku 2015 ajo ishte e lënduar.

Sporti i Majlindës, xhudoja, prinë me numrin më të madh të sportistëve, gjithsej pesë, të gjithë të kualifikuar me normë. Nora Gjakova (kategoria -57 kilogramë), kampione e tanishme e Evropës, si dhe sportistja e vetme me medalje në Lojërat Evropiane, do të synojë të pushtojë podiumin edhe në Minsk. Tre xhudistët tjerë janë, Distria Krasniqi (-48 kg), medaliste e argjendtë në kampionatin evropian, Akil Gjakova (-73 kg), kampion i Evropës për U-23 dhe Loriana Kuka, kampione e Evropës për U-23 (-78 kg).

Lojërat Evropiane në sportin e xhudos shërbejnë edhe si Kampionat Evropian. Të njëjtën vlerë e kanë edhe për sportin e boksit, të cilët përfaqësohen me katër sportistë.

Kampionia e Evropës për vitin 2016, grupmosha juniore, Donjeta Sadiku, si dhe tre boksierët me të ardhme të ndritur: Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami dhe Ardit Delijaj, do të përfaqësojnë sportin e boksit.

Alvin Karaqi, i cili po e ndjek normën Olimpike Tokio 2020, përfaqëson sportin e karatesë. Shigjetaria përfaqësohet me Ardita Zejnullahun, ndërsa listën e kompleton Fatih Karabaxhaku nga pingpongu.

Kosova deri më tani ka një medalje të bronztë në Lojërat Evropiane, të fituar nga Nora Gjakova në Baku 2015.

Në Minsk 2019, Komiteti Olimpik i Kosovës shpreson që sportistët të ngjiten sa më shpesh në podium. Ekipi i Kosovës udhëton drejt Minskut prej 18-20 qershor.

Lista e 12 sportistëve

Majlinda Kelmendi (xhudo)

Nora Gjakova (xhudo)

Distria Krasniqi (xhudo)

Loriana Kuka (xhudo)

Akil Gjakova (xhudo)

Alvin Karaqi (karate)

Fatih Karabaxhaku (pingpong)

Ardita Zejnullahu (shigjetari)

Donjeta Sadiku (boks)

Shpëtim Bajoku (boks)

Patriot Behrami (boks)

Ardit Delijaj (boks)


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera