SKITARI
Tahiri kualifikohet në garën kryesore të Kampionatit Botëror
20 February, 2021 @22:15
Albin Tahiri është kualifikuar në disiplinën e sllallomit në kampionatin botëror të skitarisë, që po mbahet në Cortina d’Ampezzo të Italisë.
Tahiri doli i 33-ti në garën e sotme, me kohë 1:51.22 minuta nga të dyja lëshimet dhe siguroi vendin e tij për garën kryesore që zhvillohet nesër.
Ndërsa garuesi tjetër kosovar, Arbi Pupovci, zuri vendin e 43-të me kohë 2:05.09 minuta, por që nuk i mjaftoi për kualifikim.
Shkaku i kushteve të vështira, 67 garues nuk arritën të përfundojnë garën.
Në lëshimin e nesërm, Albini do të ketë numrin rendor 94.