EDHE NJË I HUAJ TE VËLLAZNIMI!
Antwan Walker bind Vëllaznimin
8 October, 2024 @23:23
Basketbollisti amerikan Antwan Walker i cili debutoi për Vëllaznimin në ndeshje ndaj Prizrenit, ka bindur trajnerin e ekipit dhe drejtuesit kështu ai mbetet në klub për vazhdim të stinorit.
Ekipi gjakovar ka bërë të ditur mbrëmë se Walker që luajti në stinorin e kaluar për ekipin finlandez Lahti, tashmë është pjesë e ekipit dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Branimir Pavic për të arritur qëllimet që ka klubi në këtë edicion të garave.
“Alo-qendra amerikane Antwan Walker i gjatë 203 centimetra iu është bashkuar ekipit tonë prej ditësh, ai vetëm se debutoi gjatë ndeshjes të së shtunës në fitoren ndaj Proton Cable Prizrenit.
Lojtari ka qenë në prova disa ditore dhe fillimisht ka bindur trajnerin me cilësitë që ka, duke marrë parasysh edhe karrierën e deritanishme të tij, ku stinorin e fundit ishte pjesë e Superligës së Finlandës me ekipin e Lahti ku në 21 ndeshje ka pasur mesatare prej 11.4 pikëve, 7.7 kërcime e 1.2 asiste. Walker ka përvojë edhe në Superligën e Lituanisë me skuadrën e Siauliai. Derisa në Evropë erdhi nga kolegji amerikan në NCAA ‘‘Bryant Bulldogs’‘.
Besojmë se lojtari në fjalë do jetë i dobishëm për skuadrën drejt arritjes qëllimeve që kemi për këtë edicion.” - ka shkruar KB Vëllaznimi në njoftim.
Në stinorin e Superligës kanë kaluar katër xhiro deri tash. Vëllaznimi ka arritur të regjistrojë dy fitore dhe dy humbje deri tash, ndërsa është në pozitë të pestë të renditjes tabelare. Gjakovarët në xhiron e radhës në kuadër të Superligës janë mysafirë të debutuesve në Superligë, Borës.
Për 15 minuta sa luajti në debutim, ëalker shënoi 13 pikë dhe bëri 7 kërcime si lojtar i pozitës së alo-qendrës. Ai regjistroi edhe një top të vjedhur nga kundërshtari në fitore.